Frymëzuar nga protestat popullore në Sudan që rrëzuan autokratin Omal al-Bashir nga pushteti, artistët e grafiteve kanë përdorur muret në kryeqytetin Khartoum për të shprehur aspiratat e tyre për një të ardhme më të mirë në Sudan, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjithkund, grafitet dhe portretet janë pikturuar nëpër mure duke dokumentuar protestat që filluan në muajin dhjetor kundër regjimit të al-Bashirit dhe që përfundimisht në muajin prill çuan në rrëzimin e tij nga ushtria.
Vizatimet që reflektojnë sloganet e revolucionit për “liri, drejtësi dhe paqe” po ashtu janë të pikturuara në mure, si pjesë e fushatave për të mobilizuar protestuesit që kërkojnë dorëzimin e pushtetit te një administratë civile.
“Ne e konsiderojmë veten një nga iniciatorët e vërtetë të revolucionit”, tha për AA Muhanad Khalafallah, një artist grafiti.
Khalafallah tha se artistët kanë pikturuar shumicën e mureve në shumë zona në Khartoum për të shprehur ëndrrat dhe aspiratat e tyre.
“Artet gjithmonë lulëzojnë gjatë revolucioneve”, u shpreh ai, duke shtuar se pikturat e tyre ndihmojnë të frymëzojnë dhe mobilizojnë publikun për t’u tubuar derisa aspiratat e tyre të përmbushen.
“Liria e shprehjes është një çështje që mund të garantohet në një qeveri që përfaqëson revolucionin”, shtoi Khalafallah.
Tre muaj pas rrëzimit të al-Bashirit, këshilli ushtarak në Sudan ka rezistuar ndaj kërkesave të protestuesve për t’i dorëzuar pushtetin një qeverie civile.
Tensioni u rrit më shumë midis dy palëve pasi ushtria shpërndau një protestë të madhe pranë selisë së ushtrisë në Khartoum, ku dhe u vranë një numër i madh protestuesish.
- Zëri i revolucionit
Khalafallah tha se artistët kanë pikturuar të gjitha muret rreth protestës ku qëndronin të ulur pranë selisë së ushtrisë.
“Ne kemi pikturuar pjesën më të madhe të mureve në rreth dhjetë kilometra nga protesta jashtë selisë së ushtrisë në Khartoum. Ne punuam me ditë e netë për të përfunduar punën gjatë protestës pranë selisë, por organet e sigurisë kanë shkatërruar punën tonë pas shpërndarjes së protestës”, tha Khalafallah.
Ai theksoi se ata planifikonin ta shndërrojnë këtë zonë në një ekspozitë të madhe që tregon madhështinë e revolucionit të tyre, por sipas tij, armiqtë e revolucionit qëllimisht e kanë shkatërruar punën e tyre pas shpërndarjes së protestës.
Muzikanti i shquar sudanez, Mohamed Marzoog, tha se muzikantët po ashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në thirrjen për mbështetje të revolucionit sudanez.
“Muzika dhe këngët janë zëri i revolucionit. Ne nuk përfaqësojmë veten. Ne tregojmë emocionin e popullit dhe revolucionit”, tha Marzoog për AA.
Sipas Marzoog, muzikantët, artistët dhe këngëtarët ishin të shtypur nga regjimi i al-Bashirit.
“Kjo është arsyeja pse revolucioni ka pasur një pjesëmarrje të madhe të artistëve”, tha ai.
- #blueforSudan
Diaspora sudaneze po ashtu është bashkuar me përpjekjet për të treguar historinë e revolucionit sudanez në mure.
Duke folur për AA, dizajneri grafik me qendër në Berlin, Ahmed Islam Aldin, tha se sudanezët që jetojnë jashtë vendit janë angazhuar në një fusahtë solidariteti për të mbështetur artistët në atdheun e tyre.
“Dizajnerët dhe artistët kanë mbushur sferën virtuale me shumë vepra arti. Disa u përdorën si posterë gjatë demonstratave, ndërsa të tjerat u përdorën për të rritur ndërgjegjësimin midis protestuesve”, tha Aldin.
Ai po ashtu theksoi se disa platforma online u nisën në një përpjekje për të fituar më shumë mbështetje për revolucionin sudanez.
“Platforma u përdor për të lançuar #askmeaboutsudan (më pyesni për Sudanin) dhe #blueforSudan (blu për Sudanin) sipas historisë së Mohamed Mattar-it dhe ngjyrës së tij të preferuar”, u shpreh Aldin.
Mattar, një inxhinier 26-vjeçar britaniko-sudanez, u vra gjatë shpërndarjes së dhunshme të protestës pranë selisë së ushtrisë në Khartoum.
Fotografia e profilit të medias sociale të Mattar-it ka qenë një hije e fuqishme e kaltër kur ai vdiq.
Vdekja e tij nxiti mijëra simpatizantë në mbarë botën të ndryshojnë ngjyrën e fotografisë së tyre të profilit në Instagram për të mbështetur protestat në Sudan.
Aldin tha se përdorimi i posterave dhe sloganeve artistike gjatë protestave në Sudan “ka çuar në një burim të ri në artet dhe artet politike në përgjithësi në Sudan”.
Në muajin janar, një grup artistësh dhe kuratorësh në diasporë dolën me idenë e organizimit të ekspozitave në kryeqytete të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin për revolucionin sudanez. Ekspozitat u mbajtën në Berlin, Venedik, Vjenë, Sydney, Paris dhe qytete të tjera.