Alyssa Mcmurtry
31 Korrik 2023•Përditësim: 31 Korrik 2023
Futbollisti brazilian Dani Alves do të gjykohet në Spanjë për akuzat për përdhunim, transmeton Anadolu.
Agjencia spanjolle e lajmeve EFE tha se gjykatësi ka arritur në përfundim se ka prova të mjaftueshme për të paditur Alves-in për përdhunimin e një gruaje të re në një klub nate në Barcelonë në fund të vitit të kaluar.
Gjykatësi tha se viktima e supozuar ka çrregullim të stresit intensiv post-traumatik nga sulmi.
40-vjeçari Alves, një ish-yll i skuadrës së futbollit Barcelona, u arrestua në muajin janar dhe që atëherë ka qenë në paraburgim, pasi gjykatat konsiderojnë se ekziston rreziku për ikje nga vendi.
Alves pritet të thirret nga gjykata të mërkurën, ku do të japë një deklaratë tjetër dhe do t’i komunikohet aktakuza. Një datë gjykimi akoma nuk është caktuar.
Para arrestimit të tij, Alves u tha mediave spanjolle se ai kurrë nuk e kishte takuar viktimën e supozuar. Pastaj historia e tij ndryshoi dhe ai dhe ekipi i tij ligjor tani po argumentojnë se marrëdhënia seksuale ishte konsensuale.
Kur u arrestua, Alves luante për ekipin meksikan të futbollit Pumas, por pas arrestimit ekipi ndërpreu kontratën.
Nëse shpallet fajtor, Alves mund të përballet me deri në 12 vjet burg.
Ai aktualisht po mbahet në burgun katalanas ‘Brians 2’, i njëjti burg ku shpikësi amerikan i programeve antivirus, John McAfee kreu vetëvrasje.