Barış Seçkin
12 Dhjetor 2022•Përditësim: 13 Dhjetor 2022
Tri gra u vranë në një kafene në Romë të Italisë ndërsa njëra nga viktimat ishte mikesha e kryeministres, Giorgia Meloni, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave italiane, 67-vjeçari Claudio Campiti ka vrarë me armën e tij Sabina Sperandio, Elisabetta Silenzi dhe Nicoletta Golisano-n në mbledhjen e menaxhimit të banesës dje në një kafene në lagjen Fidene të Romës.
Campiti plagosi edhe 4 persona të tjerë ku njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Campiti u kap nga forcat e sigurisë pas ndërhyrjes së disa personave.
Një dëshmitar okular tha se pak para incidentit, Campiti ka thënë: "Unë do t'ju vras të gjithëve".
Thuhet se Campiti prej disa kohësh është në mosmarrëveshje me banorët.
Sipas hetimeve të para të Prokurorisë, autori po përgatitej të arratisej jashtë vendit ku me vete kishte pasaportën, disa sende në çantën e shpinës dhe 6 mijë euro.
Theksohet se Campiti armën që përdori në incident e mori nga një poligon qitjeje në Tor di Quinto.
- Një nga të vdekurit është mikesha e kryeministres Meloni
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në një postim në llogarinë e saj në Facebook tha se e kishte mike Nicoletta Golisano-n e cila humbi jetën në sulm.
"Nicoletta ishte një nënë, shoqe e sinqertë dhe e matur, por në të njëjtën kohë një grua e fortë dhe e brishtë. Por, mbi të gjitha ishte një profesioniste. Nicoletta ishte shoqja ime. Shpresoj se drejtësia do të shkojë në vend", tha Meloni.
Ajo njoftoi se autori u arrestua dhe se poligoni i qitjes ku e mori armën që përdori në incident është mbyllur.