Mustafa Keleş
01 Korrik 2016•Përditësim: 01 Korrik 2016
OKB (AA) – Përfundon zgjedhja e anëtarëve jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB). Italia fitoi të drejtën e detyrës në Këshill për vitin 2017 me 179 vota të fituara në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (AP-OKB), raporton Anadolu Agency (AA).
Më 28 qershor, të martën, në AP-OKB kishte filluar votimi për pesë anëtarët që do ta kryejnë detyrën gjatë viteve 2017-2018. Në fund të dy cikleve të zgjedhjeve që u realizuan me votim të fshehtë, për në Këshill u zgjodhën Etiopia nga grupi i Afrikës, Bolivia nga grupi i Amerikës Latine dhe Karaibeve, Kazakistani nga grupi i Azisë dhe Pacifikut, ndërkohë që Suedia fitoi njërën nga dy ulëset e ndara për grupin e Evropës Perëndimore dhe të tjerëve.
Ndërkaq, gara për ulësen e dytë në grupin e Evropës Perëndimore dhe të tjerëve vazhdoi në mes Holandës dhe Italisë. Në ciklin e parë të votimit Holanda mori mbështetjen e 125 shteteve, ndërsa Italia atë të 113 shteteve, ndërkohë që votimi mes këtyre shteteve u përsërit pasi që asnjëra nuk arriti të fitojë të paktën 128 vota, konkretisht dy të tretën e tyre. Zgjedhja u mbyll kur dy shtetet morën nga 95 vota në ciklin e pestë.
Në votimin e zhvilluar sot sipas marrëveshjes së arritur, Italia mori 179 të votave dhe kështu fitoi të drejtën e anëtarit jo të përhershëm në KS-OKB.
Italia do të dorëhiqet nga detyra në fund të vitit 2017, ndërsa në votimin që do të mbahen për vitin 2018, Holanda do të jetë kandidati i vetëm nga grupi i Evropës Perëndimore dhe të tjerëve.
Në të njëjtën mënyrë, edhe Turqia dhe Polonia kishin ndarë anëtarësinë jo të përhershme gjatë viteve 1960-1961.