Barış Seçkin
04 Maj 2020•Përditësim: 04 Maj 2020
Në Itali që është një nga vendet më të prekura nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) në Evropë, që nga sot fillon zbutja graduale e masave të rrepta kundër pandemisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sot në Itali, ku si pasojë e COVID-19 kanë humbur jetën mbi 28 mijë njerëz në 2 muajt e fundit, fillon zyrtarisht faza e 2-të të cilën edhe kryeministri Giuseppe Conte e ka cilësuar si "Periudha për të bashkëjetuar me virusin".
Në një postim mbrëmë nga llogaria e tij në Facebook, kryeministri Conte lidhur me fazën e dytë theksoi se fati i vendit ndodhet në dorën e tyre, dhe se që nga sot kanë kaluar në një faqe të re të cilën duhet ta shkruajnë së bashku me besim dhe përgjegjësi.
Sot gjatë kalimit në fazën e dytë, filluan punën mbi 4 milionë punonjës në sektorin e ndërtimit, prodhimit, tregtisë me shumicë dhe në fabrika.
Teksa dalja në rrugë vazhdon me dokument lejeje, në vend mund të kryhen sporte me kusht që të mos jenë larg shtëpisë dhe në mënyrë masive. Gjithashtu vendosja e maskës është bërë e detyrueshme në ambiente të mbyllura, nëpër dyqane dhe transportin publik,
Përkundër ditëve ku u zbatuan masa të rrepta të karantinës kryesisht në qytete të mëdha, ka tërhequr vëmendjen fluksi nëpër bulevarde, sheshe dhe stacione të trenit.
Është vërejtur se shumë kafene dhe bare në kryeqytetin Romë janë hapur për shërbime të paketuara, ndërkohë që edhe shumë persona kanë dalë jashtë me biçikleta me qëllimin për të kryer aktivitet sportiv.
Automjetet e transportit publik në qytete të mëdha ofrojnë shërbim me kapacitet të përgjysmuar, ndërsa nëpër autobusë dhe metro janë vërejtur ulëset e shënuara me shenjë për uljen e distancuar të njerëzve.
Sipas lajmeve në shtyp, në qytetin e dytë më të madh të vendit, në Milano, në kuadrin e fazës së dytë janë hapur parqet dhe lulishtet të cilët janë frekuentuar nga shumë persona bashkë me fëmijët e tyre ose kafshët shtëpiake.
Gjithashtu theksohet se shumë persona kanë udhëtuar në rajonet në jug të vendit me arsyetimin për të vizituar familjarët e tyre, pavarësisht se ata që banojnë në veri të vendit e kanë të ndaluar udhëtimin ndërmjet rajoneve përveç rasteve kur është e detyruar ose e nevojshme.
Sipas fazës të dytë që u zyrtarizua me një dekret që kryeministri Conte nënshkroi më 26 prill, sot kanë filluar punë sektori i ndërtimit, prodhimit, tregtisë me shumicë, ndërsa më 11 maj mund të rifillojnë ekspozitat, muzetë dhe libraritë dhe më 1 qershor restorantet, kafenetë dhe parukeritë.