Aness Suheil Barghoti
01 Nëntor 2017•Përditësim: 01 Nëntor 2017
RAMALLAH (AA) – Forcat izraelite arrestuan 17 palestinezë në bastisjet gjatë një dite në Bregun e pushtuar Perëndimor, pasi kolonët me forcë hapën rrugën e tyre për në një vend të shenjtë në territorin e pushtuar mes përleshjeve me të rinjtë palestinezë, raporton Anadolu Agency (AA).
Përmes një deklarate, Shoqata e të Burgosurve Palestinezë njoftoi se forcat izraelite bastisën disa shtëpi në qytetin Bethlehem, Tulkarem dhe Jenin, duke arrestuar 17 palestinezë.
Ushtria izraelite ende nuk ka konfirmuar bastisjet. Qindra kolonë izraelitë sulmuan një vend të shenjtë në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor, duke shkaktuar përleshje me protestuesit palestinezë. Sipas dëshmitarëve okularë, ushtarët izraelitë përdorën gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë palestinezët e zemëruar që ishin mbledhur për të protestuar në mbrojtje të monumentit të Jozeph-it, një vend i shenjtë i nderuar nga muslimanët dhe hebrenjtë.
“Të paktën 500 banorë hebrenj me forcë hapën rrugën e tyre dhe kryen ritualet talmudike nën mbrojtjen e forcave izraelite”, tha Ahmed Shamekh për AA, kryetar i Komitetit të shërbimeve në kampin e refugjatëve në Balata. Sipas tij, dhjetëra të rinj palestinezë u tubuan për të protestuar kundër kësaj lëvizjeje, por u shpërndanë nga ushtarët izraelitë. Ai tha se dy palestinezë u plagosën nga plumbat e gomës, ndërsa rreth 20 të tjerë pësuan dëmtime nga gazi lotsjellës.
Forcat izraelite shpesh kryejnë fushata të mëdha të arrestimeve në Bregun Perëndimor, që synojnë palestinezët e "kërkuar" nga autoritetet izraelite. Sipas statistikave zyrtare palestineze, Izraeli mban rreth 6.500 të burgosur palestinezë, shumica prej të cilëve banorë të Bregut të pushtuar Perëndimor.