Kaamil Ahmed
02 Tetor 2016•Përditësim: 03 Tetor 2016
ANKARA (AA) - Izraeli ka mbyllur një tjetër uzinë të ujit, e pesta që nga viti 1998 për arsye të kontaminimit industrial, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç shkruan e përditshmja izraelite Haaretz duke u bazuar në të dhënat e publikuara nga autoritetet përgjegjëse për ujë, fabrikat nga industria e sigurisë janë shkaktarët kryesorë të kontaminimit.
Pas zbulimit të materialeve shpërthyese dhe elementeve kancerogjene në burimet natyrore të ujit, autoritetet izraelite janë detyruar të ndalin nxjerrjen e ujit dhe të vendosin një sistem monitorimi mbi burimet e tjera anembanë vendit.
Haaretz shkruan se afërsisht 40 për qind e lokacioneve ku janë kryer shpime në Izrael janë mbyllur në periudhën mes viteve 1998 dhe 2015 nga shkaku i ndotjes nga fabrikat industriale.
Në fund të viteve 90-të të shekullit të kaluar shumë burime u mbyllën për shkak të ndotjes nga plehrat që përdoren në bujqësi, ose për shkak të ujit të detit të përzier me ujërat e ëmbla, shkruan më tej gazeta.