Ahmed Asmar
26 Nëntor 2024•Përditësim: 26 Nëntor 2024
Një raketë e lëshuar nga Libani shkaktoi dëme të mëdha në një vendbanim izraelit në veri të Izraelit, transmeton Anadolu.
Kanali izraelit 12 tha se pesë raketa u hodhën nga Hezbollahu nga Libani në Galilenë e Epërme në veri të Izraelit. Sipas transmetuesit, një raketë goditi një ndërtesë në vendbanimin Kiryat Shmona, duke shkaktuar dëme të mëdha. Nuk raportohet për të lënduar.
Sulmi erdhi teksa Kabineti i Sigurisë i Izraelit do të mblidhet sot për të votuar mbi një propozim të mbështetur nga SHBA-ja për armëpushim me Libanin. Mediat izraelite raportuan dje se një marrëveshje armëpushimi pritet të shpallet midis Izraelit dhe Hezbollahut brenda dy ditësh.
Parlamentari libanez Qassem Hashem dje tha se një marrëveshje armëpushimi midis Hezbollahut dhe Izraelit është afër përfundimit dhe mund të shpallet brenda 36 orëve të ardhshme, nëse negociatat vazhdojnë pa probleme.
"Atmosfera është pozitive dhe diskutimet për armëpushimin kanë arritur në një fazë të avancuar. Është vetëm një çështje orësh përpara se një marrëveshje të finalizohet dhe të shpallet, nëse progresi vazhdon siç pritet", tha Hashem për Anadolu.
Izraeli ka përshkallëzuar sulmet e tij ajrore në Liban kundër asaj që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, si pjesë e luftës njëvjeçare kundër grupit libanez që nga fillimi i luftës së Gazës vitin e kaluar.
Më shumë se 3.760 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban, me afro 15.700 të plagosur dhe mbi një milion të zhvendosur që nga tetori i kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.
Izraeli më 1 tetor të këtij viti e zgjeroi konfliktin duke nisur sulme tokësore në jug të Libanit.