Ahmet Furkan Mercan
01 tetor 2021•Përditësim: 04 tetor 2021
Japonia dënoi testin e raketës hipersonike të Koresë së Veriut të zhvilluar rishtazi në fillim të kësaj jave, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Lançimi i fundit shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër përdorimit të teknologjisë së raketave balistike", tha kryesekretari i kabinetit, Katsunobu Kato, duke folur të enjten në një konferencë për media.
Kato tha se Japonia paraqiti notë proteste ndaj Koresë së Veriut përmes ambasadës së saj në Pekin sepse Tokio nuk ka marrëdhënie diplomatike me Phenianin.
Funakoshi Takehiro, drejtor i përgjithshëm i Zyrës së Çështjeve Aziatike dhe Oqeanike të Ministrisë së Jashtme Japoneze, foli në telefon me përfaqësuesit specialë të SHBA-së dhe Koresë së Jugut për Korenë e Veriut, njoftoi agjencia e lajmeve Kyodo.
Gjatë bisedave, u ra dakord të vazhdohet bashkëpunimi trepalësh për denuklearizimin në shkallë të plotë të Koresë së Veriut.
Raketa, e quajtur Hwasong-8, u testua me sukses më 28 shtator, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA e Phenianit.
KCNA theksoi se lloji i ri i raketave hipersonike ka "rëndësi strategjike" në forcimin e aftësive vetëmbrojtëse të vendit dhe është "një nga 5 sistemet më të rëndësishme të armëve të reja" në planin pesëvjeçar të zhvillimit ushtarak të Koresë së Veriut.
Qeveria japoneze tha se raketa ra jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.