Mehmet Alaca
03 Gusht 2022•Përditësim: 03 Gusht 2022
Japonia njoftoi se është e shqetësuar nga stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë përreth ishullit të Tajvanit nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës (PLA) pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, filloi vizitën e saj në Tajvan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të Kyodo News, kryesekretari i kabinetit të Japonisë, Hirokazu Matsuno, në një konferencë për media tha se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit është të rëndësishëm jo vetëm për sigurinë e Japonisë, por edhe për sigurinë e botës.
"Shpresojmë që problemet lidhur me Tajvanin të zgjidhen në mënyrë paqësore me rrugën e dialogut", tha Matsuno.
Japonia i ka përcjellë Kinës shqetësimet e saj lidhur me stërvitjet ushtarake në afërsi të Tajvanit dhe ka njoftuar se zonat ku zhvillohen stërvitjet bien ndesh me zonën ekskluzive ekonomike.
PLA, e cila njoftoi një stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë përreth ishullit të Tajvanit menjëherë pasi Pelosi filloi vizitën e saj në Tajvan, nga nesër deri me 7 gusht pritet që të kryejë stërvitje ku do të kryhen edhe qitje me zjarr të vërtetë në gjashtë zona përreth ishullit.
Ndaj pyetjes nëse Japonia e mbështet apo jo vizitën e Pelosit në Tajvan, Matsuno tha se, "Nuk ndodhemi në situatën për të komentuar".
Pelosi, e cila pritet që brenda javës të vizitojë edhe Japoninë, parashikohet të takohet me kryeministrin Kishida Fumio.
Vizita e Pelosit ka shkaktuar rritjen e tensionit mes Kinës dhe SHBA-së.
Teksa Pekini paralajmëron se ushtria kineze "nuk do të qëndrojë kurrë indiferente", Washingtoni ka njoftuar se vizita nuk nënkupton ndonjë ndryshim në politikën kundrejt Tajvanit.
Vizita e planifikuar në prill u anulua
Vizita që 82-vjeçarja Pelosi kishte planifikuar të zhvillonte në Tajvan në muajin prill u anulua me arsyen se ishte prekur nga koronavirusi COVID-19.
Shefi i diplomacisë kineze, Wang Yi, në ato ditë paralajmëroi se vizita e Pelosi-t në Tajvan do të nënkuptojë "tejkalimin e vijës së kuqe" që përcakton parimi "një Kinë".
Pelosi është kryetarja e parë e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, e cila viziton Ishullin pas 25 vitesh. Më parë, Tajvanin në vitin 1997 e ka vizituar Newt Gingrich teksa mbante këtë pozitë.