Ekip
25 Mars 2022•Përditësim: 25 Mars 2022
Parlamenti i Japonisë miratoi marrëveshjen e re me SHBA-në duke miratuar rritjen e shpenzimeve të qeverisë japoneze që tejkalojnë 1 trilion jen (8 miliardë dollarë) për strehimin e trupave amerikane dhe për forcimin e aleancës së tyre ushtarake përballë kërcënimit në rritje nga Kina dhe Koreja e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Buxheti i mbështetjes së vendit pritës prej 1,05 trilion jen (8,6 miliardë dollarë) mbulon blerjen e arsenalit të avancuar që përdoret në stërvitjet e tyre të përbashkëta ushtarake, si dhe shërbimet dhe objektet e përdorura nga trupat amerikane dhe punonjësit e tyre japonezë që punojnë në bazat amerikane në vend deri në mars të vitit 2027.
Buxheti i ardhshëm pesëvjeçar përfshin një kategori të re financimi deri në 20 miliardë jen (164 milionë dollarë) për blerjen e sistemeve të avancuara të trajnimit luftarak virtual për stërvitjet e përbashkëta midis dy forcave.
Përafërsisht 200 miliardë jen (1,6 miliardë dollarë) për vitin e parë përfshihen në buxhetin fiskal të mbrojtjes kombëtare 2022, një rekord prej 5,4 trilion jen (44 miliardë dollarë), duke filluar nga prilli.
Qeveria e Japonisë buxhetin e mbështetjes tani e përshkruan si të nevojshëm për forcimin e aleancës, në vend të "dashamirësisë" siç konsiderohej dikur.
Japonia ka rritur buxhetin dhe aftësitë e saj të mbrojtjes për rreth një dekadë, kurse aktualisht është duke rishikuar strategjinë e saj kryesore të sigurisë kombëtare përballë kërcënimeve nga Kina, Koreja e Veriut, kurse tani edhe nga Rusia.
Japonia është veçanërisht e shqetësuar për aktivitetin ushtarak kinez në ujërat në Detin e Kinës Lindore që rrethojnë ishujt Senkaku të kontrolluar nga Japonia, të cilat Pekini gjithashtu i pretendon dhe i quan Diaoyu.
Japonia ka shtuar ndjeshëm stërvitjet e saj të përbashkëta me SHBA-në, si dhe me partnerë të tjerë, duke përfshirë Australinë, Indinë, Francën, Britaninë dhe Gjermaninë, të cilët ndajnë shqetësimet e tyre për qëndrimet e Kinës për pretendimet e saj territoriale në rajon, i cili ka disa nga shtigjet detare më të ngarkuara në botë