Ekip
04 Shkurt 2022•Përditësim: 04 Shkurt 2022
Kryeministri i Irlandës së Veriut, Paul Givan dha dorëheqje të enjten në shenjë proteste ndaj marrëveshjeve tregtare pas Brexit-it, transmeton Anadolu Agency (AA).
Givan ishte në postin e tij vetëm 8 muaj ndërsa mediat lokale raportuan se koha e dorëheqjes së tij ishte koordinuar me Partinë Unioniste Demokratike (DUP) së cilës ai i përket.
DUP mbështet ekzistencën e vazhdueshme të Irlandës së Veriut brenda Mbretërisë së Bashkuar dhe kundërshton ribashkimin me Republikën e Irlandës.
"Sot shënon fundin e asaj që ishte privilegji i jetës sime, të shërbej si kryeministër i Irlandës së Veriut", tha Givan në deklaratën e tij të dorëheqjes.
“Kur hyra për herë të parë në asamble 12 vjet më parë, kurrë nuk prisja të kisha mundësinë të drejtoja qeverinë dhe t'i shërbeja popullit të Irlandës së Veriut si kryeministër. Mbajtja e kësaj zyre është një përgjegjësi e rëndë dhe shpesh e kam ndjerë peshën e kësaj barre, që të bëjë atë që është e drejtë për popullin tonë", tha ai.
Dorëheqja e tij është pjesë e një game më të gjerë veprimesh politike që po ndërmerren nga DUP për të protestuar ndaj Protokollit të Irlandës së Veriut.
Protokolli u miratua nga qeveria britanike si pjesë e marrëveshjes së saj pas Brexit-it dhe vendosi në mënyrë efektive një kufi në Detin Irlandez midis Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut për të parandaluar një kufi të rreptë në ishullin e Irlandës. Protokolli kundërshtohet zëshëm nga DUP dhe sindikalistët e tjerë të Irlandës së Veriut.
Dje, ministri i Bujqësisë së DUP, Edwin Poots urdhëroi përfundimin e kontrolleve agro-ushqimore në portet e Irlandës së Veriut. Megjithatë, sot, zëdhënësi i kryeministrit britanik, Boris Johnson njoftoi se kontrollet janë ende në vazhdim dhe se Johnson do të dëshironte që ato të vazhdonin derisa të vazhdojnë bisedimet me Bashkimin Evropian.
Duke reaguar ndaj dorëheqjes së Givan-it, sekretari i Irlandës së Veriut, Brandon Lewis tha se kjo është "jashtëzakonisht zhgënjyese".
“Bëj thirrje që të riemërojnë menjëherë një kryeministër që të sigurojnë ofrimin e nevojshëm të shërbimeve publike për qytetarët e Irlandës së Veriut”, shtoi Lewis.
Udhëheqësi i DUP, Sir Jeffrey Donaldson tha se protokolli "përfaqëson një kërcënim ekzistencial për të ardhmen e vendit të Irlandës së Veriut brenda Unionit".
Udhëheqësi irlandez, Micheal Martin, e quajti dorëheqjen e Givan-it një "lëvizje shumë të dëmshme".
"Protokolli është pjesë e një traktati ndërkombëtar të rënë dakord dhe të ratifikuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja, për të mbrojtur Marrëveshjen e së 'Premtes së Mirë' në të gjitha dimensionet e saj", tha zëdhënësi i Martin.
"Mbretëria e Bashkuar ka një detyrim sipas ligjit ndërkombëtar dhe sipas ligjit të saj të brendshëm, të sigurojë që të përmbushë detyrimet e saj sipas protokollit", tha ai.