Diyar Güldoğan,Besar Ademi
26 Tetor 2017•Përditësim: 26 Tetor 2017
ANKARA (AA) – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Ukraina, Afganistani, transparenca dhe reduktimi i rrezikut ishin çështjet kyçe të diskutuara gjatë takimit të Këshillit NATO-Rusi të mbajtur në Bruksel, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Aleatët e NATO-s dhe Rusia vazhdojnë të kenë dallime thelbësore në çështjen e Ukrainës, në atë se si ta zgjidhin krizën në Ukrainë”, tha Stoltenberg pas takimit.
Ai duke theksuar se konflikti vazhdon të ketë ndikim të thellë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit Euro-Atlantik, tha se, “Përmirësimi i situatës së sigurisë në Ukrainën lindore mbetet prioritet për të lëvizur drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes së Minsk-ut”.
Në vijim, Stoltenberg tha se situata mbetet “e brishtë” dhe shkeljet e armëpushimit vazhdojnë. Ai shtoi se NATO mirëpret përpjekjet e vazhdueshme diplomatike për të nxitur zbatimin e marrëveshjes së Minsk-ut nga të gjitha palët.
Stoltenberg bëri të ditur se ata gjithashtu patën një “shkëmbim të sinqertë” mbi situatën e sigurisë në Afganistan, përfshirë kërcënimet terroriste rajonale. Për këtë çështje, ai tha se me rëndësi të madhe është që të gjithë të mbështesin qeverinë e unitetit kombëtar.
“Analizat tona ndryshojnë shumë, por të gjithë kemi të njëjtin interes për sigurimin e sigurisë dhe stabilitetin në Afganistan”, tha ai, duke shtuar se Rusia përmes një brifingu ka njoftuar mbi politikën e saj në Afganistan.
Lidhur me pyetjen nëse Rusia i mbështet apo jo telebanët në Afganistan, kreu i NATO-s tha se kjo çështje është biseduar në takim dhe një gjë e tillë është mohuar nga Rusia.
Stoltenberg shtoi se NATO do të vazhdojë të mbështesë Afganistanin dhe t’i ndihmojë ata në trajnimin e forcave të tyre të sigurisë. Ai tha se transparenca dhe reduktimi i rrezikut mbeten çështje “jetike” për Këshillin NATO-Rusi.
“Sot, kemi shkëmbyer informacione mbi ushtrimet e fundit. NATO dhe Rusia ranë dakord të rrisin transparencën dhe parashikueshmërinë në zonën euro-atlantike”, u shpreh kreu i NATO-s.