Halime Afra Aksoy
22 prill 2021•Përditësim: 23 prill 2021
Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite që mbështesin Qeverinë në Jemen njoftuan se është neutralizuar një mjet ajror pa pilot (UAV) i Huthive, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kanali Al-Ihbariyye me seli në Arabinë Saudite publikoi deklaratën e forcave të koalicionit për këtë çështje.
Në deklaratë thuhet se është shkatërruar droni i mbushur me bomba i lëshuar nga Huthit të mbështetur nga Irani në qytetin Khamis Mushait në jugperëndim të Arabisë Saudite.
Më tej theksohet se Huthit synojnë civilët në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme dhe se forcat e koalicionit morën masat e nevojshme operacionale për të mbrojtur civilët në përputhje me të drejtat ndërkombëtare të njeriut.
Zëdhënësi ushtarak i Huthive në Jemen, Yahya Saree në një deklaratë tha se shënjestruan një pikë të rëndësishme ushtarake në bazën ajrore "King Khalid" në rajonin Khamis Mushait të Arabisë Saudite.
Saree deklaroi se në sulmin në mëngjes, "shënjestra u godit me një goditje të plotë dhe sulmi është kryer me një dron UAV të llojit Kasif-2".
Në Jemen, ku paqëndrueshmëria politike ka mbizotëruar për një kohë të gjatë, Huthit e mbështetur nga Irani që nga shtatori i vitit 2014 kanë kontroll në kryeqytetin Sana dhe në disa rajone të tjera.
Forcat e koalicionit të udhëhequra nga Arabia Saudite kanë mbështetur qeverinë legjitime të Jemenit kundër Huthive që nga marsi i vitit 2015.
Huthit shpesh shënjestrojnë rajonet në jug të Arabisë Saudite.