Lokman İlhan
26 Qershor 2017•Përditësim: 26 Qershor 2017
BOGOTË (AA) – Presidenti i Kolumbisë Juan Manuel Santos bëri të ditur se po vazhdon kërkimi i 31 personave të zhdukur në aksidentin e fundosjes së anijes në këtë shtet, raporton Anadolu Agency (AA).
Santos i cili ndodhet në qytetin Guatape për t’i ndjekur nga afër aksionet e shpëtimit, u prononcua për gazetarët lidhur me aksidentin.
Duke bërë të ditur se zhytësit po vazhdojnë të kërkojnë 31 persona të zhdukur në vendin e ngjarjes, Santos tha se edhe një ekip tjetër nga qyteti Cartagena është duke ardhur dhe se aksionet e shpëtimit do të vazhdojnë gjatë tërë natës.
Santos bëri të ditur se ekipet ushtarake po vazhdojnë hetimin e aksidentit, por që deri më tani ata kanë intensifikuar përpjekjet e shpëtimit.
Arsyeja e aksidentit
Santos tha se nuk mendojnë që aksidenti ka ndodhur për shkak të numrit të madh të pasagjerëve dhe se anija e fundosur është njëra prej anijeve me gjerësi më të madhe në rajon.
Duke vënë në dukje se aksidenti ka ndodhur papritmas, presidenti Santos shprehu që nuk mendojnë se as të rreshurat e mëdha e kanë shkaktuar këtë aksident.
Masat e sigurisë
Santos lidhur me pyetjen se a ka pasur ekuipazhë dhe jelek shpëtimi të mjaftueshëm në anije, tha se nuk ka informata për çështjen e ekuipazhit dhe se kjo çështje së bashku me deklaratat e pasagjerëve të cilët kanë shprehur se nuk ka pasur jelek shpëtimi në anije do të jenë pjesë e hetimeve.
Pasagjerët
Santos vuri në dukje se ende nuk kanë informacione për indentitetin dhe kombësinë e pasagjerëve në anije. Ai po ashtu njoftoi se nuk ka fëmijë në mesin e 6 personave të vdekur.
Sipas raporteve të para, në fatkeqësinë që ndodhi në provincën Antioquia të Kolumbisë, në vendin rreth 80 kilometra larg nga Medellina, së paku gjashtë persona kanë humbur jetën. Në aksident të paktën 120 persona janë shpëtuar gjallë, kurse po vazhdojnë punimet e kërkim shpëtimit të 31 personave të tjerë.