Lokman İlhan
05 Dhjetor 2016•Përditësim: 06 Dhjetor 2016
BOGOTA (AA) - Krahas qyteteve Medellin dhe Cali në Kolumbi, edhe në qytetin e Bogotas shumë rrugë mbyllen për komunikacion çdo të dielë për shkak të aktivitetit Ciclovia, raporton Anadolu Agency (AA).
Çdo të dielë mes orës 7:00 dhe 14:00, shumë rrugë dhe bulevarde në Bogota, përfshirë edhe 'Bulevardin e Shtatë', tërësisht apo një korsi vihet në shërbim vetëm të këmbësorëve dhe çiklistëve.
Gjatësia e përgjithshme e rrugëve që pamundësojnë komunikacionin gjatë të dielave arrin në 120 kilometra, ndërsa thuhet se në këtë aktivitet marrin pjesë më shumë se një milion njerëz nga i gjithë qyteti.
Anësh rrugëve të mbyllura për komunikacion gjatë aktivitetit Ciclovia në të cilin marrin pjesë njerëz nga të gjitha moshat, gjenden shitës ambulant, riparues të biçikletave dhe patinave, si dhe tenda të ndihmës së parë.
Në hyrje të Parkut Kombëtar të Bogotas organizohen aktivitete sportive dhe vallëzuese, ndërsa në 'Bulevardin e Shtatë' deri në qendër të qytetit mund të rastisen grupe muzikore amatore, piktorë dhe persona që ekspozojnë gjëra të ndryshme për të fituar para.
Megjithëse në opinionin kolumbian ka debate rreth ndotjes akustike që shkaktojnë shitësit ambulantë dhe rreth problemeve në lidhje me sigurinë në këtë zonë, nuk shihet rënie në numrin e pjesëmarrësve në aktivitet.