Diyar Güldoğan
30 Tetor 2019•Përditësim: 30 Tetor 2019
Komiteti Kushtetues Sirian, i cili përbëhet nga opozita, shoqëria civile dhe anëtarët e regjimit, do të inaugurohet sot në Gjenevë me ndihmën e Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA).
Komiteti do të nis zyrtarisht në mesditë në një mbledhje ku i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir O. Pedersen, pritet të mbajë një fjalim.
Të hënën, Pedersen tha se komiteti është mandatuar, brenda kontekstit të procesit të Gjenevës të lehtësuar nga OKB-ja, për të përgatitur dhe hartuar një reformë kushtetuese për miratim popullor që do t’i hapë rrugën një zgjidhjeje politike në Siri.
Ai tha se pret që komiteti prej 150-anëtarësh të fillojë konsultimet më 1 nëntor.
“Pas kësaj, synojmë të kemi një organ hartues më të vogël të përbërë nga 45 persona, 15 nga qeveria, 15 nga opozita dhe 15 nga e treta e mesme, që ata pastaj do të fillojnë punën e tyre këtu në Gjenevë”, tha Pedersen.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, dje tha se të gjithë aktorët do të ulen së bashku për herë të parë dhe do “të ndërmarrin hapin e parë në rrugën politike nga tragjedia e konfliktit sirian”.
Siria ka mbetur e bllokuar në një luftë civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.
Që atëherë, mbi 5 milionë civilë janë kthyer në refugjatë. Turqia strehon 3.6 milionë prej tyre, më shumë se çdo vend tjetër në botë.