Riyaz Khaliq Khaliq
25 Nëntor 2021•Përditësim: 26 Nëntor 2021
Përfaqësuesit e 5 kompanive kineze kanë mbërritur në Afganistan me vizë speciale për të eksploruar burimet e litiumit në vendin e shkatërruar nga lufta që vlerësohet të jetë 1 trilion dollarë, njoftuan mediat shtetërore kineze, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët po zhvillojnë vizita në terren për të eksploruar nxjerrjen e metalit, i cili është një burim kritik por i pakët i përdorur në bateri dhe teknologji të tjera që konsiderohen kruciale për të trajtuar krizën klimatike, shkruan "Global Times".
Eksplorimi i mineraleve, megjithatë, vjen me rreziqe teksa qeveria e përkohshme në Afganistan përpiqet të konsolidojë pushtetin.
Drejtori kinez i Komitetit të Promovimit Ekonomik dhe Tregtar Kinezo-Arab, Yu Minghui tha se vizat speciale u vunë në dispozicion pas koordinimit me Ministrinë e Minierave të Afganistanit.
Ai tha se zyrtarët e kompanive kineze ishin "të shqetësuar për garancitë themelore të sigurisë dhe rendit shoqëror në Afganistan".
"Disa besojnë se marrëdhëniet miqësore midis Kinës dhe Afganistanit janë të favorshme për operacionet e kompanive kineze", tha Yu.
Kina ka qenë mbështetëse e madhe e qeverisë së përkohshme të udhëhequr nga talebanët në Afganistan pasi forcat amerikane u larguan në gusht dhe që atëherë është dëshmuar se është kontribuesi më i madh në ndihmën humanitare.