Davut Çolak
20 Tetor 2017•Përditësim: 20 Tetor 2017
KOPENHAG (AA) - Në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhag, u mbajtë protestë në shenjë solidariteti me 28 refugjatët të cilët prej 11 tetorit janë në grevë urie për shkak se u janë refuzuar aplikimet për azil, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit të cilët u mbështetën edhe nga degët e organizatave ndërkombëtare në Danimarkë, si Black Lives Matters, Freedom of Movements dhe Crisis Mirror, u tubuan në sheshin më të vjetër të qytetit Gammeltorv.
Ata me pankarta të ndryshme në duar dhe brohoritje qytetarëve u shpërndanë broshura, me qëllim për të ngritur ndërgjegjësimin për 28 refugjatët që janë në grevë urie.
Poashtu, përmes linjës telefonike, njëri prej 28 refugjatëve që është në grevë urie, duke shpjeguar kushtet dhe përjetimet e refugjatëve, ka kërkuar ndihmë nga protestuesit, si dhe ka theksuar se do të vazhdojnë të zhvillojnë protesta në mënyra tjera, me qëllim që të dëgjohet zëri i refugjatëve që janë në grevë urie.
Dita e dhjetë e grevës së urisë
28 refugjatët të cilët tashmë në ditën e dhjetë janë në grevë urie, janë qytetarë të Iranit me origjinë kurde. Atyre u është refezuar aplikimi për azil dhe momentalisht janë në një qendër në periferi të qytetit Kopenhag, prej ku dhe pritet rikthimi në vendet e tyre.
Kaershovedgaard, qendra në të cilën qëndrojnë refugjatët, ka qenë burg i hapur dhe kushtet në të janë të mjerueshme. Ata protestojnë në kërkim të përmirësimit të kushteve dhe rishikimit të aplikimeve të refuzuara.
Poashtu edhe Komiteti i Helsinkit ka përgatitur një raport mbi kushtet në këtë qendër, për të cilën ka theksuar se në qendrën Kaershovedgaard kushtet janë shumë më të këqija se sa në një burg të hapur.