Riyaz Khaliq
30 Korrik 2020•Përditësim: 01 Gusht 2020
Koreja e Jugut dhe Kina do të zhvillojnë bisedime bilaterale mbi ekonominë vonë këtë javë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bisedimet do të mbahen të shtunën në Qingdao, Kina lindore, ku zëvendësministrat e të dy palëve do të zhvillojnë bisedime vjetore të bashkëpunimit ekonomik, bëri të ditur agjencia e lajmeve Yonhap e Koresë së Jugut.
Takimi vjen në mes të përshkallëzimit të tensioneve tregtare dhe sigurisë Kinë-SHBA, dhe do të jetë takimi i parë diplomatik brenda Seulit dhe Pekinit që prej shpërthimit të COVID-19.
Zëvendësministri i jashtëm i Koresë së Jugut për çështje ekonomike Lee Seong-ho do të udhëheqë anën e tij për të takuar palën kineze të udhëhequr nga Li Chenggang, ndihmës ministër për Tregti, në seancën e 24-të të Komitetit të Përbashkët Ekonomik Koreja Jugore-Kinë.
"Të dy palët planifikojnë të vlerësojnë tendencat globale ekonomike dhe statusin aktual të bashkëpunimit ekonomik dypalësh dhe të diskutojnë drejtimin e tregtisë dhe investimeve bilaterale, si dhe mënyrat për të forcuar bashkëpunimin në fazat rajonale dhe multilaterale", bëri të ditur Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut.
Bisedimet po ashtu do të përfshijnë bashkëpunim për të ndihmuar bizneset në minimizimin e ndikimit nga shpërthimi i COVID-19.
Hapi bilateral i Seulit vjen në një kohë kur Washingtoni u ka bërë thirrje aleatëve të saj që të krijojnë një aleancë kundër Kinës.
Në përshkallëzimin e fundit të konfliktit midis dy palëve, SHBA ka mbyllur Konsullatën e Përgjithshme Kineze në Houston të shtetit të Teksasit. Si përgjigje, Pekini mbylli Konsullatën e Përgjithshme të SHBA-ve në qytetin Chengdu.