Zehra Nur Düz
21 Janar 2020•Përditësim: 22 Janar 2020
Koreja e Jugut do të dërgojë trupa në Ngushticën e Hormuzit për të garantuar sigurinë e njerëzve dhe anijeve koreane gjatë gjashtë muajve të ardhshëm në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raporton agjencia e lajmeve Yonhap, dërgimi i marinës, që ka qenë një mision kundër piraterisë në Gjirin e Adenit jashtë Somalisë që nga viti 2009, synon të zgjerojë zonat e misionit të tij në Gjirin e Omanit dhe më tej në Gjirin Persik.
“Duke marrë parasysh situatën aktuale në Lindjen e Mesme, qeveria ka vendosur të zgjerojë përkohësisht sferën e veprimtarisë së Njësisë Cheonghae me 300 forca, në mënyrë që të garantojë sigurinë e popullit tonë dhe lirinë e lundrimit të anijeve tona”, citohet të ketë thënë Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Koresë së Jugut.
Ministria njoftoi se në kuadër të misionit do të dërgohet në rajon grupi prej 31 trupave qarkulluese me luftanijen 4.400 tonëshe “Wang Geon”.
Forcat nuk do t’i bashkohen koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të, por do të kryejnë operacione të pavarura.
“Rreth 25 mijë koreano-jugorë jetojnë në Lindjen e Mesme dhe rreth 170 anije të Koresë së Jugut lundrojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, rreth 900 herë në vit”, raportoi Yonhap duke u bazuar në të dhënat e qeverisë.
Ngushtica e Hormuzit vlerësohet si pika më e rëndësishme e naftës në botë midis Gjirit Arabik dhe Gjirit të Omanit.
Ngushtica 39 kilometërshe është e vetmja rrugë për në oqeanin e hapur për mbi një të gjashtën e prodhimit global të naftës. Koreja e Jugut, ekonomia e 12-të në botë, importon rreth 70 për qind të naftës së saj nga kjo ngushticë.
Më herët, njoftoi agjencia japoneze e lajmeve Kyodo, Kabineti i Japonisë po ashtu aprovoi dërgimin e personelit të marinës japoneze në rajon “për aktivitete të mbledhjes së informacionit për të ndihmuar në sigurimin e një linje kryesore të transportit të naftës”.
Misioni, për të cilin Tokio pretendoi se është pjesë e “kontributit për paqen” në Lindjen e Mesme, do të zhvillohet në Gjirin e Omanit, pjesën veriore të Detit Arabik dhe në Ngushticën Bab el-Mandeb që lidh Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.
Iniciativa e Koresë së Jugut dhe Japonisë vijnë kur tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit u rritën pasi dy cisterna nafte u sulmuan në qershor të vitit të kaluar në Ngushticën e Hormuzit.
SHBA e fajësoi Iranin për sulmet dhe e akuzoi për shkatërrimin e pajisjeve të lundrimit. Të dyja akuzat u mohuan nga Irani.
Pas sulmit ndaj cisternave, Washingtoni themeloi një koalicion ushtarak ndërkombëtar për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit, megjithatë Koreja e Jugut dhe Japonia qëndruan jashtë koalicionit.
Tensionet në rajon u rritën më tej në fillim të këtij muaji pasi SHBA vrau gjeneralin iranian, Qasem Soleimani, në një sulm ajror në Bagdad, duke shkaktuar tensione dhe sulme hakmarrëse nga Irani në bazat amerikane në Irak.