Emel Gözellik
26 Prill 2020•Përditësim: 27 Prill 2020
Në Kinë janë shënuar 10 raste të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19) ndërsa në Korenë e Jugut 10 raste të reja, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë (NCH) njoftoi se në 24 orët e fundit në vend nuk janë shënuar humbje të jetëve ndërsa janë përcaktuar 11 raste të reja me COVID-19, pesë prej të cilave me burim nga jashtë vendit.
Bëhet e ditur se nga rastet brenda vendit, 5 prej tyre janë shënuar në rajonin Heylongciang në verilindje të vendit dhe 1 në rajonin Guangdong.
Numri i rasteve në vend është rritur në 82.827 ndërsa numri i vdekjeve nga COVID-19 është regjistruar në 4.632.
Bëhet e ditur se numri i rasteve në vend me burim nga jashtë vendit është rritur në 1.634.
- Në Korenë e Jugut shënohen 10 raste të reja
Në një deklaratë nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Fatkeqësive në Korenë e Jugut thuhet se në 24 orët e fundit në vend janë shënuar 10 raste të reja me COVID-19.
Deri më sot në vend janë regjistruar 242 vdekje dhe 10.728 raste të koronavirusit.
Humbjet e jetëve janë shënuar më shumë nga qyteti Daegu ku mbi 90 për qind të vdekjeve e përbënin personat mbi 60-vjeç.
Pas shfaqjes në Wuhan të Kinës, dhjetorin e kaluar, pandemia COVID-19 është përhapur në të gjithë botën. Deri më tani, numri i rasteve me koronavirus në të gjithë botën ka tejkaluar shifrën 2.9 milionë. Në të gjithë botën nga COVID-19 kanë vdekur 203.308 persona ndërsa janë shëruar 837.531 persona.