Ekip
19 Qershor 2017•Përditësim: 20 Qershor 2017
SEUL (AA) – Autoritetet e Koresë së Veriut kanë akuzuar SHBA-në dhe policinë e saj për sulm dhe grabitje të delegacionit diplomatik të Phenianit në aeroportin e Nju Jorkut dhe presin "shpjegim të menjëhershëm për këtë ngjarje nga Uashingtoni zyrtar", raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme e Koresë së Veriut këtë mëngjes ka njoftuar se delegacioni i Koresë së Veriut duke u kthyer nga konferenca në Kombet e Bashkuara ishte viktimë e "sulmit të paligjshëm dhe poshtërues" në aeroportin "John F. Kennedy" të Nju Jorkut.
"Diplomatët me vendosmëri i kanë rezistuar policisë e cila më pas me forcë mori paketën diplomatike", theksohet në deklaratën të cilën e transmeton agjencia e lajmeve të Koresë së Veriut KCNA.
Autoritetet e Koresë së Veriut gjithashtu kanë deklaruar se Amerika do të jetë përgjegjëse për të gjitha pasojat që do të pasojnë, nëse nuk japë shpjegim të duhur për ngjarjen.
Ende nuk dihet saktësisht se çfarë kishte në "paketën diplomatike" dhe nëse anëtarët e delegacionit të Koresë së Veriut ka gëzuar imunitet diplomatik.