Zehra Ulucak
05 Nëntor 2017•Përditësim: 06 Nëntor 2017
ANKARA (AA) – Koreja e Veriut kërcënon presidentin e SHBA-ve Donald Trump, i cili do të vizitojë Korenë e Jugut në kuadër të turit të tij në Azi, me “ndëshkim të pamëshirshëm”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë Yonhap, transmetuesi zyrtar i Partisë së Punës në Korenë e Veriut, "Rodong Sinmun", publikoi një deklaratë në gjuhën angleze se Trump me "qëndrime idiote" shkakton reagim të fuqishëm nga Koreja e Veriut.
Në deklaratë e cila transmetohet nga agjencia zyrtare e Koresë së Veriut KCNA, thuhet se Trumpi duhet t’u kushtojë rëndësi fjalëve të ekspertëve të tjerë të SHBA-ve për “t’i dhënë fund shantazheve dhe të largohen nga Koreja”.
“Askush nuk mund të parashikojë se kur Trumpi do të bëjë një veprim të pamatur. Rruga e vetme për të marrë nën kontroll veprimin e tij të pamatur është që ai të gjunjëzohet nëpërmjet forcës fizike absolute. Në qoftë se SHBA tenton të veprojë në mënyrë të pamatur, do të ballafaqohet me reagim të ashpër. SHBA-ja nuk ka asnjë energji për të parandaluar këtë. Pastaj do të jetë shumë vonë për t’u penduar”, thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se Trump sot nisi turin e tij aziatik me vizitën në Japoni, ku tha se “Askush, asnjë diktator, asnjë regjim dhe asnjë shtet nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e SHBA-ve”.