Emre Aytekin
31 maj 2023•Përditësim: 31 maj 2023
Lëshimi i satelitit që Koreja e Veriut kreu në orët e mëngjesit dështoi për shkak të një problemi në sistemin e raketës transportuese, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të agjencisë koreano-veriore CNA, mësohet se sateliti ushtarak zbulues "Malligyong-1" që u lëshua nga Qendra e Satelitëve Sohae në veri të vendit, bashkë me raketën transportuese ka rënë në det në perëndim të Gadishullit të Koresë.
Në një deklaratë nga Administrata Kombëtare e Zhvillimit të Hapësirës Ajrore (NADA) vihet në dukje se raketa transportuese ka humbur përshpejtimin për shkak të mosfunksionimit në kohë të sistemit të ndezjes së fazës së dytë.
Për shkak të lëshimit janë bërë paralajmërime me sirena në kryeqytetin Seul të Koresë së Jugut dhe në ishullin Okinava të Japonisë. Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut njofton se raketa që u lëshua nga bregu veriperëndimor i Koresë së Veriut ka rënë 200 kilometra larg nga ishulli Eocheong dhe se kanë gjetur një pjesë të raketës së rënë në det.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare në varësi të presidentit, zhvilloi një takim urgjent dhe teksa trajtoi situatën publikoi një deklaratë që dënon Korenë e Veriut për shkak të lëshimit. "Pa shikuar suksesin apo dështimin, ky lëshim është shkelje e hapur e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një provokim serioz ndaj paqes dhe sigurisë së Gadishullit Korean", thuhet në deklaratë.
Ministria e Jashtme e Japonisë ka njoftuar se mes zyrtarëve të SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë janë zhvilluar biseda telefonike dhe se palët kanë "dënuar në mënyrë të fortë" lëshimin.
Lëshimi është testimi i 6-të i dështuar së Koresë së Veriut për lëshimin e satelitit që nga viti 2016. Qeveria e Phenianit kishte njoftuar Japoninë dhe Organizatën Ndërkombëtare të Detarisë se në periudhën 31 maj -11 qershor do të kryente lëshimin e satelitit.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së në kuadër të sanksioneve që zbaton për shkak të programit të armëve bërthamore, ia ka ndaluar Koresë së Veriut që të kryejë lëshime me teknologjinë e raketës së drejtuar.