Ömer Erdem
31 maj 2023•Përditësim: 31 maj 2023
Në kryeqytetin e Sudanit, Khartoum, ku ushtria dhe Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) janë përleshur që nga mesi i prillit, 11 fëmijë humbën jetën në një jetimore, transmeton Anadolu.
Sipas informacionit të marrë nga burime shëndetësore, 11 fëmijë kanë humbur jetën në jetimoren Maygoma, në lagjen Sejjane të kryeqytetit Khartoum.
Në mediat kombëtare thuhet se vdekjet janë shkaktuar pasi disa kujdestarë u larguan për shkak të konflikteve, si dhe pasi ka pasur mungesë të kujdesit shëndetësor, kequshqyerje dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.
Theksohet se fëmijët që humbën jetën u varrosën në varrezat e Farukut në rreth me ndihmën e banorëve të zonës.
Përleshjet mes ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në Sudan
Mosmarrëveshjet e muajve të fundit u përshkallëzuan midis ushtrisë dhe forcave paraushtarake rreth integrimit të RSF-së në forcat e armatosura, që është kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.
Sudani nuk ka pasur qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, që nga forcat politike u cilësua si "grusht shteti".
Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.
Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se më shumë se një milion njerëz u zhvendosën brenda vendit, si dhe 300 mijë u larguan në vendet fqinje për shkak të konflikteve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raportoi se 850 persona humbën jetën dhe 5.500 u plagosën për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Sudan.
Pavarësisht vendimit të palëve për të zgjatur armëpushimin edhe për 5 ditë më 29 maj, përleshjet vazhdojnë në Sudan.