Zehra Ulucak
11 Korrik 2016•Përditësim: 11 Korrik 2016
SEUL (AA) – Koreja e Veriut ka kërcënuar se do ta shndërrojë në “det prej zjarri” fqinjin e saj, Korenë e Jugut, pasi kjo e fundit së bashku me SHBA-të deklaruan se në kohë shumë të shkurtër në gadishull do të vendosin sisteme raketore Për Mbrojtje Fundore në Lartësi të Madhe (THAAD) për shkak se armët bërthamore të Phenianit zyrtar paraqesin rrezik për rajonin, raporton Anadolu Agency (AA).
Në komunikatën e ushtrisë që u publikua në agjencinë shtetërore të lajmeve të Koresë së Veriut, thuhet se “Edhe njëherë i paralajmërojmë armiqtë tanë se Ushtria Popullore Koreane do t’i shndërrojë në det prej zjarri dhe rrënoja dhe do të ndërmarrrë sulme të pamëshirshme me raketa".
Ndërkaq, në lajmin në agjencinë zyrtare të lajmeve të Koresë së Jugut Yonhap zë vend mesazhi që presidenti i Shtetit Park Geun-hye ua dërgoi qeverisë së Kinës dhe asaj të Rusisë.
Në mesazhin e Park thuhet: “Sistemi raketor që do të vendoset nuk synon asnjë shtet tjetër përpos Koresë së Veriut dhe nuk do t’i shkelë interesat e sigurisë të asnjë shteti të tretë".
Nga ana tjetër, në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtes së Koresë së Jugut, Pheniani zyrtar paralajmërohet se nëse dëshiron ta akuzojë dikë për sistemin raketor THAAD që do të vendoset në gadishull, atëherë duhet t’i rishqyrtojë veprimet e saj.
Në deklaratë, ndër të tjera, thuhet se “Nëse Koreja e Veriut i shpërfill paralajmërimet tona dhe vazhdon me pohimet dhe aktivitetet e pamenduara, atëherë ajo do të përballet me kundërpërgjigje të rreptë nga ushtria jonë".