Selçuk Acar
11 Korrik 2016•Përditësim: 11 Korrik 2016
OKB (AA) - Këshilli i Sigurimit (KS) i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka dënuar fuqishëm ngjarjet e dhunshme në Xhuba dhe ka kërkuar që ti jepet fund konfliktit sa më parë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbledhja urgjente e KS-së është thirrur për të vlerësuar ngjarjet e dhunshme në Sudanin Jugor, nën drejtimin e Përfaqësuesit të Japonisë, Koro Bessho. Në fund të saj është publikuar një deklaratë ku thuhet se dënohen ashpër ngjarjet e dhunshme në Sudanin e Jugut të cilat kanë nisur nga data 7 korrik.
Në deklaratën e përbashkët të 15 vendeve të cilat janë pjesë e KS-së, thuhet se janë të "shokuar dhe të irrituar" ndaj sulmeve në ambiente ku ka civilë. Në deklaratë i bëhet thirrje Presidentit Salva Kiir dhe ish- zëvendës Presidentit Riek Machar të kontrollojnë forcat ushtarake që ato drejtojnë.
Në deklaratë ku citohet se një paqeruajtës kinez është vrarë dhe disa paqeruajtës nga Ruanda janë plagosur, theksohet se sulmet ndaj civilëve dhe forcave shumëkombëshe cilësohen si një krim lufte.
KS në deklaratë bën thirrje për një gjykim të drejtë të çështjes dhe të distancohen nga veprime që prishin stabilitetin. Në deklaratë i bëhet thirrje gjithashtu Lidhjes Afrikane dhe liderëve të shteteve fqinje që të rrisin kontaktin me Sudanin për të arritur në një marrëveshje.