Figen Shaban
05 Tetor 2017•Përditësim: 05 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) - Me rastin e Ditës Botërore të Mësuesve sot në Prishtinë u organizua konferenca me temë “Liria e mësimdhënies, i fuqizon mësimdhënësit”, organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në fjalimin e tij tha së në këtë ditë mësuesit e tërë botës kremtojnë por edhe lartësojnë kujtimin për ngjarjet dhe emrat e shquar të arsimit kombëtar e botëror. Ai theksoi se me këtë rast edhe SBASHK kujton me respekt të lartë mësuesit e parë të shkollës shqipe në mbrojtjen e arsimit shqip nga pushtuesit.
Jasharaj duke nënvizuar se në vitet e '90-ta mësimdhënësit e Kosovës mbrojtën arsimin shqip tha se edhe pas luftës heroike të UÇK-së e cila solli lirinë në vend SBASHk-u vazhdoi misionin e tij në shërimin e plagëve për edukimin e brezave.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë fjalimit të tij tha se shënimi i ditës ndërkombëtare të mësuesve është ngjarje sa ndërkombëtare edhe ngjarje kombëtare shtetërore për Republikën e Kosovës.
Ai theksoi se veçanërisht në vitet e '90-ta mësimdhënësi ka qenë pjesë e një lëvizje kombëtare dhe politike në Kosovë por edhe lëvizje botërore globale me tendenca të përshpejtimit të ardhjes së demokracisë në Kosovë.
“Nëse mësimdhënësit në pjesët e ndryshme të botës kanë patur rol edhe në lëvizjet politike, sociale dhe profesionale të emancipimit të shoqërive përkatëse në Kosovë liria dhe pavarësia e Kosovës fillimisht kanë lindur në zemrat dhe në mendjet e nxënësve dhe të mësimdhënësve para se të jetë pjesë e çdo shtrese të shoqërisë”, tha Hoxhaj.
Duke vënë theksin tek roli i shtetndërtimit dhe shtetformimit të cilën e kanë patur mësimdhënësit si ide e para se kjo ide të shëndrrohet në realitet politik, Hoxhaj tha se mësimdhënësit e Kosovës edhe pas 200 vitesh do ta kenë misionin shtetndërtues.
Hoxhaj po ashtu tha se çdo arsimtar, mësimdhënës, profesorë universiteti duhet të jetë edhe hulumtues shkencor, sepse sipas tij, vetëm përmes hulumtimeve do të ngritet edhe kualiteti i shkollave dhe universiteteve të Kosovës.
Ndërsa, këshilltari i lartë politik dhe shef i kabinetit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Fehmi Hysenaj tha se kjo konferencë i kontribuon punës së përbashkët të MASHT-it dhe Sindikatës duke bërë të ditur se ministri Bytyqi që në ditën e parë të detyrës së tij si ministër ka deklaruar se “Cilësia e arsimit mbetet prioritet dhe arsimi i paraprinë zhvillimit të shteteve ose së paku duhet të jetë në hap të këtyre zhvillimeve përdryshe shkolla nuk mund të luaj rolin e saj edukativ dhe arsimor”.
Duke folur për kurrikulën e re të përgatitur nga MASHT-i Hysenaj tha se kjo kurrikulë ka filluar të aplikohet në të gjitha shkollat e Kosovës duke e fuqizuar edhe lirinë e mësimdhënies sepse mësuesi ose arsimtari mund të zgjedhë vetë një pjesë të planprogramit.
Ai nënvizoi se duhet të punohet me metoda bashkëkohore që shkolla të jetë kreative dhe argëtuese për nxënësit ndërsa tha se ende ka punë për të bërë në përmirësimin e insfrastrukturës në shkolla me kabinete e laboratore të cilat mungojnë në Kosovë.