Zülfiya Yakup
21 Janar 2019•Përditësim: 21 Janar 2019
PRISHTINË (AA) – Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) njoftoi se refuzon ofertën e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të punonjësve të arsimit në arsimit parauniversitar dhe se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave për rritjen e koefinicentit pagesor prej 30 për qind për të gjithë të punësuarit në arsim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç theksohet në njoftimin, kryetari i SBASHK-së Rahman Jasharaj sonte në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në takimin me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministrin e Arsimit Shyqry Bytyqi mori ofertë me shkrim për rritjen e koeficientit prej 0.2 për qind vetëm për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, nga kopshtet e fëmijëve deri te shkollat e mesme, që është rritje e koeficientit prej rreth 10 për qind. Sindikata thekson se oferta nuk i kënaq kërkesat e punonjësve të arsimit, veçmas për shkak se nuk janë përfshirë punonjësit teknik, punonjësit administrative, si dhe tërë sistemi universitar. “Ju lajmërojmë se greva do të vazhdojë edhe ditëve në vazhdim me shpresë se dialogu do të vazhdojë derisa nuk përmbushen kërkesat”, njoftojnë nga SBASHK-ja.
“Rritja e pagave është votuar në Komisionin për buxhet nga ana e përfaqësuesve të të gjitha partive edhe nga opozita edhe nga koalicioni qeverisës, njëkohësisht është mbështetur edhe nga ministri i Financave”, tha Haradinaj në adresimin para mediave pas takimit të sotëm.
Kryeministri njoftoi se për rreth 5 mijë mësimdhënës në shkollat e mesme parashikohet rritje pagash prej 74 eurosh, gjegjësisht pagat do të rriten nga 523 euro në 597.8 euro. Për rreth 15 mijë mësimdhënës në arsimin fillor parashihet rritje pagash prej 46 eurosh, gjegjësisht paga aktuale mujore prej 479 eurosh do të rritet në 525.8 euro. Për rreth një mijë mësues në arsimin parashkollor, pagat do të rriten nga 447 në 501.9 euro, ose me 54 euro. Për 125 mësues në shkolla të veçanta, rritja është 476-525.8 euro, ose një rritje prej 49.8 euro.
Kryeministri po ashtu theksoi se nuk do të ketë oferta të reja meqë do të jetë e pamundur pasi ligji mbi pagat të votohet në Kuvend, ashtu që ata që do të mbesin në grevë do të jenë pengje të kalkulimeve të gabuara.
Punonjësit e arsimit në Kosovës filluan grevën e përgjithshme të hënën, më 14 janar, kur duhej të fillonte gjysmëvjetori i dytë në shkollat fillore dhe të mesme.