Elena Teslova
31 Janar 2020•Përditësim: 01 Shkurt 2020
Derisa bashkësia ndërkombëtare ngre kundërshtime të larta ndaj vdekjeve civile në Idlib, Siria veriperëndimore, Moska sot deklaroi se është në përputhje të plotë me detyrimet e saj sipas marrëveshjeve të Soçit të vitit 2018 për provincën në fjalë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Rusia po përmbush plotësisht të gjitha detyrimet në bazë të marrëveshjeve të Soçit në lidhje me zonën Idlib", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke iu referuar zonës së de-eskalimit, në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.
Duke pranuar se "situata atje lë shumë për të dëshiruar", ai shtoi se "shqetësimi më i thellë" i Rusisë është "numri i madh i terroristëve që vazhdimisht kryejnë veprime ofensive dhe agresive" kundër regjimit të Asadit dhe bazës ruse në Khmeimim afër Latakias.
Turqia dhe Rusia në shtator të vitit 2018 u dakorduan për ta kthyer Idlibin, në një zonë de-eskalimi në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.
Që atëherë, më shumë se 1.300 civilë janë vrarë në sulmet e regjimit të Bashar al-Asadit dhe forcave ruse pasi armëpushimi, përfshirë një armëpushim të ri që filloi më 12 janar, vazhdoi të shkelet.
Mbi një milion sirianë kanë lëvizur afër kufirit turk për shkak të sulmeve intensive gjatë vitit të kaluar.
Të mërkurën, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, kritikoi qëndrimin e Rusisë për Idlibin, duke thënë se nëse Moska është një partner besnik, duhet ta tregojë këtë në Siri.
"Nëse Rusia i përmbahet marrëveshjeve për Sirinë, i përmbahemi edhe ne, por tani për tani, Rusia nuk po i përmbahet as Astanas dhe as Soçit", tha Erdoğan.