Büşra Nur Bilgiç Çakmak
20 Mars 2020•Përditësim: 20 Mars 2020
Shefi i Programit Botëror të Ushqimit dhe ish-guvernatori i Karolinës së Jugut, David Beasley, rezultoi pozitiv me koronavirusin e ri të njohur si COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Unë dua që ju të jeni ndër të parët që e dini se para disa orëve mora konfirmim, pas testimit, se kam virusin COVID-19", tha në një deklaratë Beasley, drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së.
"Deri më tani, simptomat e mia kanë qenë relativisht të lehta, dhe unë jam në gjendje të mirë shpirtërore. Unë jam me fat që jam afër familjes sime dhe kam qasje në ndihmë të shkëlqyeshme mjekësore", shtoi ai.
Beasley tha se ai filloi të mos ndjehet mirë pas udhëtimit të tij të fundit në Kanada dhe hyri në vetë-karantinë për pesë ditë në shtëpinë e tij në SHBA.
Ai dhe ekipi i tij kanë gjurmuar njerëzit që kishin kontakte të ngushta me Beasley, ndërsa ai nuk ishte në dijeni të infeksionit, thuhet në deklaratë.
Koronavirusi i ri i njohur si COVID-19 u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në të paktën 160 vende dhe territore. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e koronavirusit e shpalli pandemi.
Nga më shumë se 244.500 raste të konfirmuara, numri i vdekjeve tejkalon 10 mijë, ndërsa mbi 86 mijë janë shëruar, thonë të dhënat e përpiluara nga Universiteti "Johns Hopkins" në SHBA.
Megjithë numrin në rritje të rasteve, shumica e atyre që infektohen vuajnë vetëm simptoma të lehta dhe shërohen.