Mücahit Aydemir
24 qershor 2021•Përditësim: 24 qershor 2021
Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Mass, ka bërë të ditur se temat kryesore të Konferencës së dytë të Berlinit mbi Libinë ishin siguria dhe stabiliteti i Afrikës Veriore të shkatërruar nga lufta civile, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne nuk po flasim për Libinë, po flasim për libianët", u tha Mass gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media me homologen e tij nga Liba, Najla Al-Mangoush dhe nënsekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) për çështjet politike dhe ndërtimin e paqes, Rosemary A. DiCarlo.
Mass tha se bashkimi i forcave të sigurisë libiane, infrastruktura dhe përmirësimi i kushteve të jetesës së libianëve janë çështjet më urgjente.
Ai shtoi se mbajtja e zgjedhjeve në kohë, si dhe tërheqja e luftëtarëve dhe mercenarëve të huaj po ashtu janë jetike. Megjithatë, theksoi ai, mercenarët dhe forcat në Libi për qëllime trajnimi nuk duhet të ngatërrohen.
"Sepse të gjithë e dimë se tërheqja e forcave të huaja duhet të kryhet gradualisht", u shpreh ai.
Mangoush, nga ana e saj, theksoi se ata morën pjesë në konferencë për të siguruar zgjedhjet në kohë në Libi.
"Zgjedhjet janë mënyra e vetme për demokraci. Ne vlerësojmë arritjet e fundit në shumë fusha në Libi", tha ajo.
Duke u përgjigjur në pyetjen për tërheqjen e forcave të huaja dhe mercenarëve nga Libia, kryediplomatja libiane tha se, "Ne shpresojmë që mercenarët nga të dy palët do të largohen në ditët e ardhshme".
Nga ana tjetër, DiCarlo po ashtu theksoi rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Libi. Ajo tha se rezultatet e zgjedhjeve do të përfaqësojnë vullnetin e libianëve.
Në muajin shkurt, një forum i Libisë i udhëhequr nga OKB-ja u votua për një autoritet të përkohshëm në Libi, duke zgjedhur kreun e Këshillit të Presidencës, Mohammed al-Menfi, si dhe kryeministrin Abdul Hamid Dbeibeh.
Libianët shpresojnë që qeveria e re e unitetit do t'i japë fund viteve të luftës civile që ka përfshirë vendin që nga rrëzimi dhe vrasja e Muammar al-Qaddafit në vitin 2011.