Mehmet Yılmaz,Aşkın Kıyağan
15 Mars 2022•Përditësim: 16 Mars 2022
Kryeministrat e Polonisë, Çekisë dhe Sllovenisë do të vizitojnë Kievin të martën për të riafirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE) për Ukrainën ndërsa lufta me Rusinë vazhdon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri çek, Petr Fiala, në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter tha se ata do të shkojnë në Kiev të Ukrainës, me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki, zëvendëskryeministrin, Jaroslaw Kaczynski dhe kryeministrin slloven, Janez Jansha si përfaqësues të Këshillit të BE-së.
Duke thënë se do të takohen me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin e Ukrainës, Denis Shmigal në Kiev, Fiala tha se qëllimi i vizitës është për të shprehur mbështetjen e hapur të BE-së për Ukrainën, lirinë dhe pavarësinë e Ukrainës.
Fiala tha se vizita u organizua në konsultim me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe se për vizitën janë informuar edhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, shkaktoi reagimin ndërkombëtar dhe çoi në sanksione serioze financiare kundër Moskës dhe inkurajoi largimin e kompanive globale nga Rusia.
Sipas OKB-së, të paktën 636 civilë janë vrarë dhe 1.125 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës ndërsa më shumë se 2.9 milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje.