Halit Süleyman,Kemal Karagöz
22 Shkurt 2017•Përditësim: 22 Shkurt 2017
AL BAB (AA) - HALİT SÜLEYMAN/KEMAL KARAGÖZ
Grupet opozitare kurde në Siri, të cilat janë kundër politikave shtypëse të organizatës terroriste PYD dhe arrestimeve të tyre arbitrare, janë duke luftuar njëkohësisht edhe përballë DEASH-it, edhe përballë PYD-së.
Mahmud Halo Ebu Hamza, komandant i brigadës Ahfad Salahaddin, një nga grupet opozitare që veprojnë nën Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS) i cili është strehuar në fshatin Susamabat për t'u ikur sulmeve të organizatës terroriste DEASH, tregon se në rajon janë duke luftuar përballë DEASH-it dhe PYD-së.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), Ebu Hamza thekson se brigada Salahaddin e cila përbëhet nga të rinj opozitarë kurdë që veprojnë nën ULS-në, lufton në zonën rurale veriore të Halepit me zgjatimin e organizatës terroriste PKK në Siri, PYD, dhe me Forcat Demokratike të Sirisë (FDS).
Ebu Hamza rikujton se para katër muajve DEASH dhe PYD kishin sulmuar qarkun Mari të Halepit dhe se të rinjtë opozitarë kurdë së bashku me popullin kishin luftuar kundër këtyre organizatave.
"Sipas PYD-së, çdo kurd që i ka dhënë mbështetje revolucionit së bashku me arabët është më i rrezikshëm se DEASH-i. PYD nuk mund të pranojë që një kurd të jetë së bashku me opozitarët", vë në pah Ebu Hamza, duke shtuar se edhe ai vetë është kurd dhe se ishte burgosur për arsye se ka bashkëvepruar së bashku me opozitarët kundër PYD-së.
Ebu Hamza konsideron se burgjet e organizatës janë më të këqija se burgu i regjimit të Asadit Sadnaja në Damask.
Duke folur për ditët që ka qëndruar si i burgosur, Ebu Hamza rrëfen: "Për 15 muaj qëndrova i burgosur në një qeli pa drita. Meqë kisha bashkëvepruar me opozitarët, për katër muaj e gjysmë çdo ditë më torturuan. PYD më në fund mori vendimin të më ekzekutojnë. U lirova në kuadër të këmbimit të të burgosurve mes opozitarëve dhe PYD-së. Organziata para syve të mi vrau dy të rinj kurdë të cilët vepronin së bashku me opozitarët".
"PYD përpiqet të kontrollojë kurdët përmes detyrimit me armë"
Duke potencuar se PYD maltreton të rinjtë kurdë, Ebu Hamaza tërheq vëmendjen se organizata terroriste ka paraqitur veten si përfaqësuesi i vetëm i kurdëve në luftën civile në Siri. "PYD nuk mund të jetë përfaqësuesi i kurdëve. Ajo përpiqet të kontrollojë kurdët në Siri përmes detyrimit me armë", vazhdon Ebu Hamza.
Sipas Ebu Hamzas, kurdët e Sirisë assesi nuk dëshirojnë që PYD të avancojë në rajonin e Azezit dhe Jarabulusit.
"Për këtë arsye ne luftuam me PYD-në. Ne që nga fillimi jemi kundër projekteve të PYD-PKK-së në rajon. PYD-PKK, e cila në rajon i shërben regjimit dhe Iranit, nuk ka asnjë lidhje me kurdët. Nëse PYD do të interesohej për kurdët, ajo nuk do të dëbonte familjet kurde, ndërsa të rinjtë kurdë nuk do të iknin në Evropa nga tirania e tyre", vlerëson Ebu Hamza.
Komandanti Ebu Hamza shprehet se është e pamundur që PYD të shpall federatë mes Afrinit dhe Kobanit (Ajn al-Arab), duke shtuar se rajoni përbëhet nga arabë, turkmenë dhe kurdë.
"Është e pamundur të bashkohen këto dy vende. Domethënë, për bashkimin e kantoneve të Afrinit dhe Kobanit duhet që të gjithë arabët dhe turkmenët këtu të detyrohen të migrojnë. Në rrethinën e qytetit Al-Bab të Halepit ekzistojnë 45 fshatra kurde. Që nga fillimi i revolucionit, këto fshatra u ngritën së bashku me arabët kundër regjimit. Ashtu sikurse jemi kundër projekteve të PYD-PKK-së këtu, njashtu, si të rinjë kurdë, jemi kundër ndarjes së Sirisë. Zemra nuk na fle në këtë", thotë Ebu Hamza.
"Askush nuk ka menduar për sirianët sa turqit
Ebu Hamza falënderoi Turqinë, e cila po përpiqet të ndërtojë zona të sigurisë në Siri, dhe popullin turk që ka pritur sirianët.
Ai rikujtoi se në Turqi gjenden afër tre milionë sirianë, duke shtuar se "Askush nuk ka menduar për sirianët sa turqit".
Hamza theksoi se nuk bëjnë asnjë dallim mes kurdëve, arabëve dhe turkmenëve dhe se nuk janë kundër asnjë besimi. Siç thotë ai, ata janë vetëm kundër projekteve të regjimit, PYD-së dhe DEASH-it.
Ai bëri të ditur se do të dalin kundër në rast se PYD afrohet në rajonet e njësiteve të brigadës Salahaddin.
"Çfarë do që të ndodhë, ne do ta pengojmë hyrjen e kësaj organizate në rajon. Ne i mbështesim operacionet e ULS-së të mbështetura nga Forcat e Armatosura Turke në kuadër të operacionit 'Mburoja e Eufratit' kundër organizatës terroriste DEASH", shprehet Ebu Hamza, duke shtuar se prezenca e forcave turke në Siri dhe bashkëveprimi me ULS-në ishte hap i mirë.