Bojana Stojanovic
17 Maj 2018•Përditësim: 17 Maj 2018
SOFJE (AA) – Afrimi i Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga prioritetet edhe gjatë kryesimit austriak me Bashkimin Evropian (BE), deklaroi sot në Sofje kancelari austriak Sebastian Kurz, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fillim të Samitit BE-Ballkani Perëndimor i cili po mbahet sot në kryeqytetin bullgar, Sofje, Kurz tha se Austria vlerëson se ekziston një perspektivë e mirë për aderimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
"Qëndrimi i Austrisë është i qartë, se përkrah ato shtete në rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, tha Kurz.
Ai foli për kryesimin austriak me BE-në, që fillon më 1 korrik, duke thënë se gjatë atij kryesimi, qëllimi i BE-së do të jetë, përparimi në aderimin e Ballkanit Perëndimor në Union.
"Jam në veçanti optimist për Serbinë dhe Malin e Zi, por shpresoj të përparojmë te rasti i Maqedonisë me zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin", tha Kurz.
Siç tha ai, tashmë për një kohë, BE-ja ofronte shumë pak perspektivë për Ballkanin Perëndimor, por fatmirësisht tha ai, kjo politikë ka ndryshuar.
Kancelari austriak ripërsëriti vazhdimin e mbështetjes për marrëveshjen bërthamore me Iranin.
"Irani është një vend me potencial, por kjo marrëveshje njëkohësisht është e mirë edhe për sigurinë tonë sepse mundëson që Irani të ndalë zhvillimin e armëve bërthamore. Kemi disa javë para vetes të përpiqemi ta shpëtojmë këtë marrëveshje nëse është e mundur”, tha Kurz.
Në samit, përveç krerëve të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, gjithashtu marrin pjesë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor. Udhëheqësit e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës marrin pjesë në Samit. Nikoqir i takimit është kryeministri bullgar Bojko Borisov, ndërsa me takimin do të kryesojë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Ai përfaqëson BE-në, si dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Po ashtu, në samit marrin pjesë edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini, Eurokomisari për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn si dhe përfaqësues të Bankës Botërore.