Ata Ufuk Şeker
06 Gusht 2022•Përditësim: 06 Gusht 2022
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell tha se dënojnë aktivitetet ushtarake të Rusisë përreth centralit bërthamor Zaporizhzhia që ndodhet në juglindje të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
"BE-ja dënon aktivitetet ushtarake të Rusisë përreth centralit bërthamor Zaporizhzhia", theksoi Borrell në një postim nga llogaria e tij në median sociale duke bërë të ditur se rregullat e sigurisë bërthamore janë shkelur seriozisht dhe në mënyrë të papërgjegjshme.
Borrell tha se ky është një shembull tjetër i shpërfilljes së rregullave ndërkombëtare nga Rusia. Ai potencoi se është e nevojshme të sigurohet qasja në rajon për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
- Centrali më i madh bërthamor në Evropë
Centrali bërthamor Zaporizhzhia në juglindje të Ukrainës ndodhet në pozicionin e centralit më të madh bërthamor në Evropë.
Centrali ka 6 reaktorë bërthamorë dhe kapacitet për prodhimin e energjisë elektrike në një total prej 5.700 megavat-orë si dhe siguron 20 për qind të totalit të energjisë elektrike në Ukrainë.
Centrali bërthamor Zaporizhzhia u mor nën kontroll nga rusët më 4 mars.
Përreth centralit i cili aktualisht ndodhet nën kontrollin e ushtrisë ruse, po përjetohen sulme ajrore. Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën lidhur me çështjen e këtyre sulmeve.