Hussein Mahmoud Ragab Elkabany,Safiye Karabacak
20 Gusht 2019•Përditësim: 21 Gusht 2019
Kuvajti dënoi sulmet e përsëritura të Izraelit në Mesxhid-i Aksa që ndodhet në qytetin e vjetër të Kudsit Lindor të okupuar, duke theksuar se kjo "provokon ndjenjat e muslimanëve", transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare kuvajtiane të lajmeve KUNA, në takimin e Këshillit të Ministrave të Kuvajtit u dënuan praktikat arbitrare të sigurisë të Izraelit okupator, bastisjet e kryera në Mesxhid-i Aksa dhe sulmet ndaj besimtarëve.
Në takimin, ku u theksua se këto ngjarje provokojnë ndjenjat e të gjithë muslimanëve dhe se janë një shkelje e qartë e normave dhe konventave ndërkombëtare, i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që "të përmbushë përgjegjësinë e tij duke bërë presion mbi formësimin sionist që të respektojë vendimet dhe konventat ndërkombëtare dhe t'i japë fund praktikave të tilla arbitrare dhe sulmeve ndaj vendeve të shenjta".
Në ditën e parë të Kurban Bajramit, hebrenjtë fanatikë të shoqëruar nga policia izraelite hynë në grupe në oborrin e Mesxhid-i Aksasë. Palestinezët, ndërsa përpiqeshin të parandalonin sulmin e hebrenjve në Harem-i Sharif, u përballën me ndërhyrjen e policisë izraelite ku si pasojë në sulm u plagosën 61 palestinezë.
Në një deklaratë me shkrim të bërë sot nga Administrata e fondacioneve islame të Kudsit, u theksua se 114 hebrenj fanatikë nën mbrojtjen e policisë izraelite bastisën Harem-i Sharif nga Porta e Al-Megaribe (Marok) në jugperëndim të Xhamisë Al-Aksa.