Afra Aksoy
23 Maj 2016•Përditësim: 23 Maj 2016
GAZA - (AA) - Njoftohet se pas shtatë javësh Izraeli ka lejuar hyrjen e çimentos në Gazë përmes kalimit kufitar Kerm Ebu Salim, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori për Media pranë Ministrisë së Punëve Civile të Palestinës, Muhammed el-Mukadime, në deklaratën për gazetarin e AA-së, u shpreh se Izraeli ka lejuar sërish hyrjen e çimentos në Gazë për t'u përdorur nga sektori privat. Ai ka njoftuar se kamionët e ngarkuar me çimento kanë hyrë në zonë në orët e mëngjesit përmes kalimit kufitar Kerm Ebu Salim i cili gjendet në jug të Gazës.
Mukadime tha se ky zhvillim ndodh pas përpjekjeve të zyrtarëve palestinezë në arenën ndërkombëtare dhe atë vendore.
Drejtori i kalimit kufitar Kerm Ebu Salim që përdoret për kalimin e prodhimeve tregtare, Munir el-Galban, duke njoftuar se kalim kanë realizuar 80 kamionë të ngarkuar me çimento, tha se "Çimentoja e cila ka arritur në zonë do të përdoret për rindërtimin e ndërtesave që u dëmtuan si pasojë e sulmeve izraelite në korrik të vitit 2014."
Më 8 tetor, pas bisedimeve mes Kombeve të Bashkuara, Izraelit dhe Palestinës, ishte arritur marrëveshje që materialet ndërtimore të hyjnë në Gazë për rindërtimin e saj nën mbikëqyrjen e ekipeve të dërguara nga OKB-ja. Marrëveshja parasheh që të garantohet se materialet ndërtimore nuk do të përdoren për asnjë qëllim tjetër pos riparimit të ndërtesave dhe se shpërndarja e tyre do të bëhet nën kontrollin e mbikëqyrësve ndërkombëtarë.