İdiris Okuduci
23 Shtator 2022•Përditësim: 24 Shtator 2022
Është rritur në 71 numri i personave që kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë të parregullt libanezë u fundos dje në brigjet e Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Transportit të Libanit, Ali Hamieh, në një deklaratë për AA dha informacione në lidhje me fundosjen e varkës që ndodhi dje në brigjet e qytetit sirian Tartus.
Duke bërë të ditur se si rezultat i punimeve të kërkim-shpëtimit që po vazhdojnë që nga dita e djeshme, deri më tani janë zbuluar trupat e pajetë të 71 personave, Hamieh informoi se janë shpëtuar 20 persona.
Ministri libanez vuri në dukje se 12 nga të shpëtuarit janë sirianë, 5 libanezë dhe 3 palestinezë.
Më tej Hamieh deklaroi se po vazhdon puna për gjetjen e personave të zhdukur, ndërsa nuk dha të dhëna lidhur me numrin e të zhdukurve.
Në lajmet në mediat libaneze thuhet se ditën e djeshme u fundos një varkë me emigrantë e nisur nga qyteti i Tripolit në veri të vendit. Po ashtu thuhet se në varkën në fjalë krahas libanezëve, kishte edhe sirianë dhe palestinezë.
Faqet e lajmeve pranë regjimit të Asadit njoftuan se një varkë që transportonte emigrantë të parregullt që donin të shkonin në Evropë nga Libani u fundos pranë ishullit Arwad, përballë provincës Tartus në pjesën perëndimore të Sirisë, dhe se 34 persona humbën jetën në incident.