Esat Fırat
23 Shtator 2022•Përditësim: 23 Shtator 2022
Presidenti algjerian Abdelmajid Tebboune e ka ftuar homologun e tij azerbajxhanas Ilham Aliyev të jetë mysafir i nderit në samitin e Ligës Arabe në nëntor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Algjerisë Abdelmajid Tebboune ka ftuar homologun e Azerbajxhanit si kryesues i vendeve të painkuadruara që të marrë pjesë në samitin e nëntorit.
Sipas një deklarate të enjten nga Ministria e Jashtme algjeriane, Tebboune ftoi Aliyevin, vendi i të cilit mban presidencën e Lëvizjes të Vendeve të Painkuadruara, të marrë pjesë në samitin në kryeqytetin Algjer.
Ministria tha se ministri i Jashtëm algjerian Ramtane Lamamra u takua me homologun e tij azerbajxhanas Jeyhun Bayramov në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Gjatë takimit, Lamamra i paraqiti Bayramov-it letrën e ftesës së Tebboune-s.
Kryediplomatët shkëmbyen gjithashtu mendime për t'i dhënë rol Lëvizjes së Vendeve të Painkuadruara në zgjidhjen e tensioneve ndërkombëtare.
Që nga viti 2019, Azerbajxhani kryeson me Lëvizjen e Vendeve të Painkuadruara, një forum prej 120 vendesh dhe organizata e dytë më e madhe ndërkombëtare në botë pas OKB-së.
Liga Arabe, e njohur zyrtarisht si Liga e Shteteve Arabe, pritet të mbajë samitin e saj të parë vjetor në tre vjet në Algjeri më 1 dhe 2 nëntor.