Burak Bir
22 shtator 2025•Përditësim: 22 shtator 2025
Qeveria izraelite po "kryen gjenocid" në Gaza dhe qeveria britanike duhet të bëjë gjithçka që mundet për t'i dhënë fund "krimit historik", tha kryeministri i Skocisë, John Swinney, transmeton Anadolu.
Njohja e Palestinës nga Mbretëria e Bashkuar ishte "e vonuar prej kohësh dhe është sigurisht një hap i mirëpritur", tha Swinney në një artikull të botuar nga gazeta skoceze "The Daily Record".
"Por nuk është aspak mjaftueshëm. Më lejoni të jem i drejtpërdrejtë, qeveria e Izraelit po kryen gjenocid në Gaza. Qoftë nga plumbat dhe bombat apo nga uria, njerëz të pafajshëm palestinezë po vdesin çdo ditë", shtoi ai.
Duke thënë se Mbretëria e Bashkuar ka një detyrim të bëjë gjithçka që mundet për ta ndaluar atë, ai theksoi se "fjalët e dobëta të dënimit nuk janë më të mjaftueshme".
"Po shohim një krim historik që po kryhet në Gaza dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të luajë rolin e saj të plotë në ndalimin e tij", tha Swinney.
Swinney është ndër figurat që morën pjesë në një ceremoni ngritjeje flamuri në ambasadën palestineze në Mbretërinë e Bashkuar të hënën, një ditë pas njoftimit të Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, për njohjen e Palestinës.