Ekip
26 Shkurt 2019•Përditësim: 26 Shkurt 2019
Rreth 150 ligjvënës të Iranit kanë apeluar deri te presidenti i vendit, Hassan Rouhani, të refuzojë dorëheqjen e ministrit të Punëve të Jashtme, Mohammad Javad Zarif, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Komitetit parlamentar të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme, Hashamatollah Falahatpishe, bëri të ditur se pasditen e sotme komiteti do të shqyrtojë dorëheqjen e ministrit Zarif.
“Komiteti tha se çështja do të shqyrtohet në një seancë urgjente”, citohet të ketë thënë Falahatpishe për agjencinë zyrtare të lajmeve IRNA.
Mbrëmë vonë, Zarif njoftoi dorëheqjen e tij në rrjetet sociale pa elaboruar për arsyet prapa vendimit të tij.
Sipas agjencisë gjysmë zyrtare të lajmeve Mehr, shumica e deputetëve iranianë kanë nënshkruar një letër që mbështet Zarif-in, duke i bërë thirrje atij të vazhdojë me detyrën.
Ndërkohë, raportimet e mediave lokale kanë atribuuar dorëheqjen e Zarif-it me vizitën e djeshme në Teheran të presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Media lokale Entekhab citoi Zarif-in të ketë thënë se pas fotove të marra gjatë “bisedimeve të sotme”, nuk do të ketë respekt ndaj tij në botë si ministër i Jashtëm.
Siria është e mbyllur në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Assad-it u përplas me protestat prodemokratike në një trazirë të papritur, duke shkaktuar një luftë civile vdekjeprurëse që la qindra mijëra persona të vdekur.
Irani ka qenë një mbështetës i fortë i regjimit të Assad-it gjatë konfliktit në Siri.