Ercan Canbolat
19 Dhjetor 2016•Përditësim: 20 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) – Kryetari i Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani Hans-Georg Maassen dhe shefi i inteligjencës zvicerane Markus Seiler kanë shprehur shqetësimet e tyre për luftëtarët e huaj që kthehen në shtetet e Evropës nga Siria dhe Iraku, duke thënë se “Shumica e atyre që kthehen janë sikur bomba me orë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Maassen dhe Seiler kanë shkruar një artikull të përbashkët për gazetën "Frakfurter Allgemeine Zeitung".
Në artikull janë rikujtuar sulmet e organizatave terroriste në Francë, Belgjikë dhe Gjermani që kanë sjellë në rend dite debatet politike dhe shoqërore në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me lirinë dhe sigurinë.
Aty po ashtu theksohet se është krijuar opinioni se rritja e sigurisë do të thotë më pak liri. Megjithatë, sipas artikullit, kjo gjë nuk është e vërtetë dhe siguria nuk është kundër lirisë, por, përkundrazi, siguria është mjet për të siguruar lirinë.
Shkrimi më tej vazhdon se gjendja aktuale e sigurisë ka vështirëzuar kontrollin në kuadër të kufijve dhe sigurisë së jashtme.
“Krizat ndërkombëtare tani më nuk po ndodhin si të izoluara në rajone të caktuara. Përkundrazi, ato po ndikojnë edhe në shtetet e pavarura. Për më tepër, teknikat moderne të informacionit, vazhdojnë t’i forcojnë zhvillimet ekstreme në aspekt kombëtar dhe global. Këto teknika mundësojnë shpërndarjen e shpejtë të përmbajtjeve dhe mesazheve me një pagesë të vogël”, thuhet në artikull.