Yusuf Özcan
25 Shtator 2019•Përditësim: 25 Shtator 2019
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se janë formuar kushtet për rifillimin në mënyrë të shpejtë të bisedimeve mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit të Iranit, Hassan Rouhani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Macron mbajti një konferencë për shtyp në New York ku ai ndodhet në kuadër të seancës së 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Irani nuk duhet të posedojë armë bërthamore, duhet t’i japë fund krizës në Jemen, të vendoset siguria në rajon dhe duhet të hiqen sanksionet ekonomike”, u shpreh Macron duke shtuar se në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është takuar me presidentin e Palestinës, Mahmoud Abbas dhe presidentin egjiptian, Abdel-Fattah al-Sisi.
“Jam takuar gjithashtu në takime të ndara edhe me presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin iranian Hassan Rouhani”, tha Macron duke theksuar se "janë formuar kushtet për rifillimin në mënyrë të shpejtë të bisedimeve (mes Trumpit dhe Rouhanit)".
"SHBA nuk i heq sanksionet (kundrejt Iranit) pa patur ide në disa çështje", tha Macron i cili ka deklaruar se tashmë Irani dhe SHBA-ja duhet të ndërmarrin hapa.
Macron gjithashtu u shpreh se SHBA-ja dhe Irani kanë qëllime të përbashkëta për të ulur tensionet në rajon dhe për të gjetur një marrëveshje, duke vënë theksin se “Trump është i shqetësuar për rritjen e tensionit në rajon dhe se nuk dëshiron që Irani të ketë armë bërthamore”.
Macron ka nënvizuar se ndodhja e Rouhanit në SHBA është një mundësi e mirë për realizimin e bisedimeve në fjalë.
Për pyetjen nëse ka ndërmarrë apo jo Franca rolin e ndërmjetësueses mes SHBA-së dhe Iranit, presidenti francez Macron tha se vendi i tij dhe ai vetë nuk kanë ndërmarrë ndonjë rol lidhur me këtë, por se në bisedën me Trump janë fokusuar mbi Iranin dhe çështjen e klimës.