Necva Taştan Sevinç
10 Shkurt 2025•Përditësim: 11 Shkurt 2025
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi plan për të investuar 112 miliardë dollarë në inteligjencën artificiale (IA) gjatë viteve në vijim, transmeton Anadolu.
Duke folur për France 2 para një samiti të IA-së në Paris, Macron theksoi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rregulla në këtë sferë.
"Kjo është një epokë e re e progresit", tha Macron, duke shtuar se IA duhet të shërbejë si një "asistent", e jo të zëvendësojë vendet e punës.
Ai theksoi zbatimin e IA-së në mjekësi, ku mund të përmirësohet parandalimi apo zbulimi i sëmundjeve, si dhe trajtimi, duke u mundësuar profesionistëve shëndetësorë të fokusohen më shumë në kujdesin ndaj pacientit.
Paralajmërimi për investim vjen pasi Franca synon të mbetet në hap me zhvillimet globale të inteligjencës artificiale, duke përfshirë iniciativën amerikane "Stargate", për të cilën presidenti amerikan Donald Trump premtoi 500 miliardë dollarë.
- Samiti i IA-së në Paris
Samiti i tretë i IA-së, i bashkë-kryesuar nga Franca dhe India, mbahet sot dhe nesër në Paris. Në samit marrin pjesë liderët botërorë, drejtuesit e kompanive të teknologjisë dhe politikëbërësit, të cilët pritet të diskutojnë sfidat etike, politike dhe ekonomike që shoqërojnë IA-në.
Macron paralajmëroi se deri në 100 mijë profesionistë të rinjë do të stërviten në fushat e IA-së, më shumë se dyfishi i numrit aktual.
Gjatë samitit, Franca pritet të njoftojë krijimin e një institucioni në Paris, të fokusuar në diversifikimin e ekosistemit të IA-së përmes investimeve në infrastrukturë.
Në samit do të marrin pjesë më shumë se 1.000 pjesëmarrës, duke përfshirë liderë nga mbi 80 vende. Përpos bashkë-kryesuesve, pjesëmarrës të profilit të lartë përfshijnë Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelarin gjerman Olaf Scholz, nënpresidentin e SHBA-së, James David Vance, dhe të tjerë.
Gjithashtu, të pranishëm do të jenë edhe shefat e kompanive të teknologjisë, duke përfshirë Microsoft, OpenAI, Google, Anthropic dhe Sakana AI. Megjithatë, mbetet e pasigurt pjesëmarrja e pronarit të Tesla dhe X, Elon Musk.