Ekip
29 Korrik 2020•Përditësim: 29 Korrik 2020
Rreth 65 migrantë që arritën në Maltë janë testuar pozitiv ndaj COVID-19, njoftuan mediat lokale të martën vonë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të përditshmes "Malta Times", të hënën një grup prej 94 migrantësh u sollën në Maltë nga marina, 85 prej tyre u testuan për virusin deri më tani, ku 65 prej tyre rezultuan pozitivë.
"Sipas procedurës së zakonshme, migrantët që vijnë me varkë menjëherë karantinohen për 14 ditë dhe testohen. Migrantët që janë pozitivë do të vazhdojnë të izolohen në Qendrën e pritjes fillestare Hal Far dhe pjesa tjetër do të mbetet në karantinë", tha Ministria e Shëndetësisë, e cituar nga e përditshmja.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) migrantët dhe refugjatët janë në rrezik të lartë të kontraktimit me virus për shkak të kushteve të tyre të mbipopulluara të jetesës dhe vështirësisë për të hyrë në kujdesin shëndetësor publik.
Sipas Universitetit "Johns Hopkins" me qendër në SHBA, rreth 708 persona janë prekur me COVID-19 në ishullin e Mesdheut, ndërsa nëntë persona e kanë humbur jetën nga pandemia.