Mehmet Akif Turan
31 Maj 2017•Përditësim: 31 Maj 2017
RABAT (AA) - Policia ka ndërhyrë në disa nga protestat që janë zhvilluar në qytete të ndryshme të Marokut në mbështetjeje të protestave që vazhdojnë prej kohësh në veri të Marokut dhe kundër arrestimeve në atë rajon, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra qytetarë në kryeqytetin e Marokut, Rabat, janë mbledhur para ndërtesës së parlamentit në shenjë mbështetjeje për protestat që vazhdojnë prej afërsisht shtatë muajsh dhe për të kërkuar lirimin e të arrestuarve.
Protestuesit kanë mbajtur fotografinë e Nasir ez-Zefzafit, organizatorit të protestave në rajonin e veriut i cili është arrestuar rishtazi, duke hedhur slogane antiqeveritare.
Protesta është mbështetur edhe nga Lëvizja 20 Shkurti, e cila njihet për organizimin e protestave të shumta gjatë periudhës së "Pranverës Arabe" në Marok në vitin 2011.
Në protestë kanë intervenuar forcat e sigurisë, të cilat kanë larguar protestuesit nga zona.
Protestat në qytetet e tjera
Forcat e sigurisë kanë parandaluar hyrjen në shesh në qytetin e Kazablankas të protestuesve të organizuar përmes rrjeteve sociale, pasi më parë ishte informuar për organizimin.
Ndërkaq, qindra persona u janë bashkangjitur protestave në Fes, Marakesh dhe Kentira. Protestuesit kanë hedhur slogane antiqeveritare në mbështetje të protestave në rajonin verior të vendit.
Ndryshe, pas rritjes së parregullsive shoqërore në rajonin verior, gjykata e apelit në El-Husejma më 29 maj njoftoi për arrestimin e 40 personave, përfshirë edhe Zefzafin, nën akuzën se kanë synuar integritetin dhe unitetin e vendit.
Protestat në El-Husejma dhe qytetet përreth kishin shpërthyer pas vdekjes së peshkatarit Muhsin Fikri në tetor të vitit të kaluar, i cili ishte shtypur për vdekje në kontejnerin kompresues të një kamioni mbeturinash teksa nga kamioni po përpiqej të merrte prapa peshqit që i kishte konfiskuar policia.