Ekip
08 Janar 2017•Përditësim: 09 Janar 2017
MEXICO CITY (AA) – Protestat e qytetarëve të pakënaqur të Meksikës për shkak të shtrenjtimit të çmimit të karburantit për 20 për qind, janë shndërruar në përleshje me policinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Demonstratat e para, përmes bllokimit të rrugëve dhe pikave të shitjes së benzinës, shpërthyen në mbarë Meksikën, nga mesi i javës së kaluar kur Qeveria meksikane rriti çmimin e benzinës për 20.1 për qind dhe dizelit për 16.5 për qind.
Që atëherë protesta janë organizuar në 22 prej 31 krahinave meksikane ku ditëve të fundit janë shkatërruar dhe plaçkitur rreth 400 pika karburanti të benzinës dhe dyqane.
Mediat meksikane raportojnë se gjatë përleshjes së policisë dhe protestuesve kanë humbur jetën pesë persona. Demonstratat u shndërruan në dhunë mbrëmë në rrugët Baja California, ku si pasojë u lënduan shtatë policë kur një kamion me protestues depërtoi në kordonin policor.
Ministria e Punëve të Brendshme e Meksikës njoftoi se javën e kaluar më shumë se 1.500 persona janë arrestuar për shkak të plaçkitjeve dhe prishjes së rendit publik. Kërkesa e qytetarëve të pakënaqur është që të tërhiqet vendimi për shtrenjtimin e karburantit.