Rahmi Gündüz
08 Janar 2017•Përditësim: 08 Janar 2017
PARIS (AA) - Nga organizata Mjekët pa Kufij pretendohet se policët në Paris kanë kryer veprime ngacmuese dhe të dhunshme ndaj refugjatëve dhe është kërkuar nga autoritetet që të marrin masat e nevojshme për të ndaluar këto veprime, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga kjo organizatë është tërhequr vëmendja për kushtet e vështira si pasojë e dimrit. Ndërkohë theksohet se janë kryer veprime të papranueshme ndaj refugjatëve dhe se ka patur rrezik për jetën e këtyre personave.
"Iu kërkojmë autoriteteve që të marrin masat e nevojshme për të ndaluar veprimet ngacmuese dhe të dhunshme nga ana e policisë kundër azilkërkuesve në Paris", thuhet në deklaratë. Gjithashtu theksohet se policia për të shpërndarë refugjatët përdor gaz lotsjellës dhe konfiskon çadrat, mbrojtëset, batanijet dhe sendet e tjera të refugjatëve.
Ndër të tjera në deklaratë vihet në dukje se anëtarët e organizatës kanë ndihmuar 8 refugjatë të cilët janë përballur me motin e acartë, dhe kërkohet nga autoritetet që të vihen në veprim për të siguruar strehimore të nevojshme për refugjatët që ndodhen përballë kushteve të vështira të dimrit.